Plazhi këtë vit do të jetë tërësisht ndryshe. Hapësirat midis çadrave do të jenë minimumi nga 3.5 metra. Nëse shkoni në hotele, do të ketë rregulla të rrepta për distancën, ndërsa personeli do të duhet të mbajë një pastërti absolute.
Çadrat do jenë 3.5 metra larg dhe shezllonët duhet të dezinfektohen. Ndërsa pishinat mbeten të mbyllura deri në një urdhër të dytë.
Një urdhër i përbashkët i Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Shëndetësisë ka përcaktuar “Protokollin e masave anti-COVID-19 përgjatë sezonit turistik”.
Protokolli i masave anti-COVID-19” është një dokument që rekomandohet të zbatohet nga sipërmarrjet turistike, turistët/pushuesit dhe vizitorët, për mbarëvajtjen e atyre aktiviteteve të miratuara si të lejuara, përmes akteve normative të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucioneve të tjera kompetente.
Ky Protokoll përmban parakushtet, kushtet dhe rregullat për të orientuar dhe për të rekomanduar industrinë turistike për masat e nevojshme që duhet të ndërmerren përgjatë periudhës së pranisë së infeksionit COVID-19.
Çdo sipërmarrje turistike që lejohet të ushtrojë aktivitetin rekomandohet të adaptojë këtë protokoll dhe të afishojë masat respektive në vende qartësisht të dukshme dhe pranë korridoreve të kalimit të njerëzve, mbështetur me materiale të ndryshme promovuese dhe informuese që informojnë mbi masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e infeksionit COVID-19.
Stafi i shërbimit, që ka kontaktet me pushuesit/vizitorët duhet të përdorë doreza dhe maska mbrojtëse. Mbajtja e dorezave dhe e maskave janë elemente të domosdoshme në parandalimin e transmetimit të COVID-19, e kombinuar me higjienën të duarve.
Masat higjieno-sanitare gjatë procesit të regjistrimit dhe të shoqërimit të vizitorëve
– Punonjësit e recepsionit duhet të jenë të mirinformuar në lidhje me masat anti-COVID19, në mënyrë që ata të mund të kryejnë detyrat e tyre të caktuara dhe të parandalojnë përhapjen e mundshme të infeksionit në strukturën akomoduese.
– Recepsioni duhet të ketë në dispozicion numrat e telefonit të autoriteteve shëndetësore, (Urgjencën Kombëtare dhe Epidemiolgjinë e NJVKSH-së përkatëse), si dhe të afishojë masat anti-COVID-19 në vend të dukshëm dhe lehtësisht të aksesueshëm për të gjithë.
– Stafi i recepsionit duhet të mbajë pastër ambientin e tyre të punës dhe në fund të çdo ndërrimi turni të pastrojë me kujdes tryezën dhe pajisjet (për shembull: telefon, tastierë, ekran me prekje, stilolapsa, lapsa etj.). Për të lehtësuar performancën dhe efektivitetin e këtij operacioni, është e përshtatshme të hiqen të gjitha sendet jothelbësore nga sipërfaqja e punës.
– Nëse mjetet e punës përdoren nga shumë njerëz gjatë të njëjtit turn, rekomandohet që stafi të lajë duart më shpesh dhe t’i dezinfektojë me xhel, me përbërje alkooli 70–85%. Shkëmbimi i telefonave dhe i celularit duhet të shmanget, nëse nuk dezinfektohet siç duhet para se të kalojë nga një operator tek tjetri .
– Rekomandohet që nga sipërmarrja turistike të merren masa për të shmangur mbledhjet e shumë njerëzve në të njëjtin vend, si dhe për të zvogëluar në maksimum kohën e pritjes përgjatë procesit të regjistrimit. Kur është e mundur, të përdoret sistem elektronik për regjistrimin. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancomi fizik i rekomanduar nga MSHMS-ja.
Masa të përgjithshme të pastrimit dhe të lëvizjes
Rekomandohet pastrim i përsëritur i ambienteve. Pavarësisht përdorimit të maskave dhe të dorezave me një përdorim, higjienizimi dhe larja e shpeshtë e duarve konsiderohet e domosdoshme. Pasi t’i keni larë duart me sapun dhe ujë, ju duhet t’i thani ato plotësisht. Xheli me përbërje alkoolike për higjienën e duarve duhet të përdoret në mënyrë periodike, madje edhe kur mbahen doreza.
– Maska, doreza të disponueshme dhe dezinfektues sipërfaqësor, mund të jenë në dispozicion për vizitorët kundrejt një marrëveshje paraprake mes sipërmarrjes dhe pushuesve/vizitorëve.
– Struktura akomoduese duhet të vendosë në holle, korridore dhe ambiente të jashtme kosha të pajisur me qese plastike, për të hedhur mbetjet e mjeteve mbrojtëse higjienike.
– Rekomandohet të fillohet me ajrosjen natyrale të dhomës, duke hapur dritaret nëse ka.
– Pastrimi duhet të përfshijë të gjitha sipërfaqet, siç janë: tavolinat, krevatet, karriget, telefoni, telekomanda, dorezat e dyerve dhe panelet, si dhe çdo pajisje tjetër që konsiderohet se mund të jetë e prekur nga vizitori.
– Sipërfaqet që mund të ndoten me sekrecione të frymëmarrjes ose lëngje të tjera të trupit të personit, p.sh.: tualeti, basenet e larjes së duarve dhe banjat, duhet të pastrohen me solucion të rregullt dezinfektues që përmban 0.1% hipoklorit të natriumit dhe të lihen pa u shpëlarë me ujë për 10 minuta. Sipërfaqet duhen shpëlarë me ujë të pastër pas 10 minutash kontakti me klorin.
– Kur përdorimi i klorit nuk është i përshtatshëm, p.sh.: pajisje telefonike, telekomandë, doreza derë, butona në ashensor etj., atëherë mund të përdoret alkooli 70%. – Kur është e mundur, të përdoren vetëm materiale pastrimi me një përdorim.
– Të gjithë artikujt e përdorur me një përdorim (peshqir dore, doreza, maska) duhet të vendosen në një enë me kapak dhe të hidhen sipas menaxhimit të mbeturinave të rrezikshme.
– Nëse minibari është i pranishëm dhe aktiv, në secilin ndryshim të vizitorit rekomandohet të pastrohen të gjitha sipërfaqet e minibarit në mënyrë sistematike.
– Dyshemetë pastrohen dhe sanitarizohen me produkte të përshtatshme.
– Këshillohet të shmangni pajisjen e dhomave ose të dhomave të tjera të strukturës me elementë arredimi, që nuk janë objekte të pastrimit të përditshëm.
Manual për administrimin e ushqimit dhe të pijeve
– Kryeni larjen e duarve shpesh dhe sipas kërkesës. – Vishni maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin.
– Shmangni pirjen e duhanit, ruani etiketën respiratore në ambientet ku përgatitet ose shërbehet ushqim.
– Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa pasur doreza.
– Ndalohet shijimi i ushqimit me gishta.
– Ndalohet prekja e flokëve ose e pjesëve të tjera të trupit pa doreza, kur ndodheni brenda zonave të përgatitjes apo të servirjes së ushqimit, pasi mund të rezultojnë në ndotje të ushqimit.
Manual për administrimin e ushqimit dhe të pijeve
– Kryeni larjen e duarve shpesh dhe sipas kerkesës.
– Vishni maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin.
– Shmangni pirjen e duhanit, ruani etiketën respiratore në ambientet ku përgatitet ose shërbehet ushqim.
– Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa
pasur doreza.
– Ndalohet shijimi i ushqimit me gishta.
– Ndalohet prekja e flokëve ose e pjesëve të tjera të trupit pa doreza, kur ndodheni brenda zonave të përgatitjes apo të servirjes së ushqimit, pasi mund të rezultojnë në ndotje të ushqimit.
Rregulla për shërbimin në bare dhe në restorante
Vendosja e tavolinave në restorante dhe në bare
Tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrigeje në pjesën e pasme të një karrigeje tjetër të jetë më shumë se 1 m larg dhe që klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1 m.
Personeli qe shërben ushqimin duhet të jetë i pajisur përgjatë gjithë periudhës së shërbimit me maska dhe dorashka të higjienizuara. Në rastin e ofrimit të shërbimit bufe, administratori/menaxheri i strukturave akomoduese të kapaciteteve të mëdha (hotel/resort) rekomandohet të përcaktojë dhe të shënojë dukshëm korridorin e lëvizjes së klientëve.
Klientët rekomandohet të respektojnë distancën e rekomanduar nga Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në rast se përdoren makinat automatike, pijet të shërbehen vetëm në gota kartoni njëpërdorimëshe.
Rregulla për shërbimin në plazhe
Rregulla të përgjithshme
Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, të gjitha stacionet e plazhit, si dhe plazhet publike duhet të kenë të afishuara këshillat dhe rregullat në kuadër të mbrojtjes nga COVID-19. Këto rregulla konsistojnë, në: Mbani parasysh rregullat bazë për parandalimin e COVID-19:
a) lani dhe dezinfektoni duart, vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur;
b) përdorni maskat sipas udhëzimeve; c) shmangni grumbullimet në njerëz dhe çdo lloj kontakti; d) mos prekni fytyrën dhe hundët me duar të palara e të padezinfektuara;
e) kur kolliteni ose teshtini, mbulojeni gojën/hundën me parakrah ose me facoleta njëpërdorimëshe;
f) nëse vini re simptomat e COVID-19, telefononi nr. 127.
Në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit, respektoni gjithmonë, sipas masave të miratuara të MSHMS-së (1.5 m). Ruani gjithmonë distancën edhe gjatë shëtitjeve në plazhe, bregun e detit, liqenit, lumit apo përgjatë shëtitoreve.
Shërbimet në stacionet e plazhit
Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese. Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit dhe të gjitha ambienteve të tjera të jetë ditore. Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike; gjatë orarit të hapjes së stacionit të plazhit duhet të sigurohet vazhdimësia e pastërtisë dhe boshatisja e koshave të mbeturinave. Të gjitha aktivitetet (si bare, beach-bare) duhet të jenë në përputhje me direktivat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Brezi i shërbimeve dhe distancat që duhen respektuar
Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, brenda brezit të shërbimeve në stacionet e plazhit, mund të realizohen këto struktura: kioskë menaxhimi për plazhin, kabina, shërbime higjienike, depo, pika vrojtimi/kulla e vrojtimit, hapësirë për rojën e plazhit (në rastin e plazhit publik), beach-bar, hapësirë për vendosjen e biçikletave.
Tavolinat në beach-bar duhet të kenë distancë, sipas udhëzimeve të MSHMS-së.
Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, kushtet minimale që duhet të përmbushë një stacion plazhi, në plazhet e tipit A, janë si më poshtë vijojnë:
a) për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7 m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit;
b) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 3.5 m në linjë vertikale me vijën e ujit;
c) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;
d) të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 171, datë 27.3.2019, “Për miratimin e rregullores ‘Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit’”.
Kushtet minimale, që duhet të plotësojë një stacion plazhi, në plazhet e tipit B, janë si më poshtë vijon:
hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) duhet të jetë të paktën 3.5 m;
të ketë në dispozicion të pushuesve 1 (një) dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;
Këndi për fëmijë
Këndet e fëmijëve, në ambientet e hapura (deri në një urdhër të dytë të MSHMS-së për funksionimin e këndeve të lojërave në ambientet e mbyllura) do të funksionojnë sipas rregullave të distancimit fizik dhe të masave higjieno-sanitare (urdhër nr. 351, datë 29.5.2020).
Zona e pishinës
Pavarësisht përfshirjes në këtë protokoll, mbështetur në urdhrin nr. 351, datë 29.5.2020, të gjitha pishinat janë të mbyllura deri në një urdhër të dytë.
Uji i pishinës duhet të pastrohet nga qarkullimi përmes një sistemi filtrimi të detyrueshëm. Duhet të largohen rregullisht papastërtitë e dukshme në sipërfaqe të ujit.
E gjithë zona dhe të gjitha objektet e pishinës dhe të banjave duhet të pastrohen dhe të dezinfektohen të paktën një herë në ditë, por dhe më shpesh, nëse fluksi i klientëve është i lartë. Klorinimi i ujit të bëhet rregullisht sipas standardeve.
Shezlonget e pishinës duhet të jenë me distancë të paktën 2 metra larg nga njëri grup tek tjetri. Hoteli duhet të sigurojë materiale dezinfektuese në zonën e pishinës për të lejuar punonjësit e pishinave dhe klientët të pastrojnë shezlonget.
Pishina të ketë kosha dhe peshqirë letre. Punonjësi i pishinës duhet të dezinfektojë shtresat e shezlongeve dhe krahët mbështetëse.
SPA/sauna/masazh dhe qendër bukurie
– Të kryhet rregullisht mbas çdo seance pastrimi i saunës përpara se të fillojë seanca tjetër.
– Të gjitha muret, dyshemetë duhet të mirëmbahen në një gjendje të pastër dhe duhet të pastrohen periodikisht.
– Sipërfaqja e shtratit të masazhit duhet të jetë prej plastike të qëndrueshme për larje ose material tjetër i papërshkueshëm nga uji, i cili është i lehtë për pastrim, dezinfektim dhe mirëmbajtje. – Sipërfaqja e shtratit të masazhit duhet të dezinfektohet dhe më pas të shpëlahet me ujë dhe të thahet pas çdo përdorimi.
– Mbulesa letre me një përdorim duhet të hidhen në një kosh pas përdorimit. – Nëse për klientët sigurohen veshje, ato duhet të vendosen në qese plastike të sigurta dhe t’i nënshtrohen procesit të duhur të pastrimit pas çdo përdorimi.
– Bazuar në madhësinë e ambientit, hoteli/ resorti mund të lejojë një numër maksimal të klientëve në të njëjtën kohë në zonën SPA, duke respektuar distancën 1.5 metra midis tyre.
– Për klientët që dëshirojnë të shijojnë një masazh apo të përdorin sauna apo jakuzi, çdonjëri prej tyre duhet të bëjë një rezervim, në mënyrë që të kontrollohet numri i tyre në respekt të distancës 1.5 metra.
– Materialet e dezinfektimit duhet të jenë të disponueshme përreth zonës SPA.
Organizimi i konferencave MICE/ eventeve
Lejimi i konferencave, eventeve, trajnimeve, seminareve, takimeve etj., në rast të përmbushjes së kritereve për hapësirat rekomandohet të zhvillohen: – zhvillimi i konferencave/eventeve, aty ku është e mundur, në sallat që mund të lejojnë distancimin fizik; – rekomandohet që ulja e pjesëmarrësve të jetë e tillë që të respektojë protokollet e aprovuara nga MSHMS-ja.