1184 raste pozitive me COVID19 nga fillimi i epidemisë. 253 raste aktive në Shqipëri. 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital
Mirela Cami
Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor
Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri, në 24 orët e fundit.
Kanë vijuar testimet dhe puna intensive në Laboratorin e Virologjisë në ISHP për të dyshuar të prekur me Covid19.
Në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës, dhe 1 rast në Kamëz.
Janë testuar 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste.
Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik.
Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes.
Në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1184 raste.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit.
Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.