4 ligjet që ka shkelur drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë urgjentisht drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun, pasi ka shkelur 4 ligje të shtetit shqiptar.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mori përsipër të denigrojë publikisht, në shkelje të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vendit (Kodi Penal, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve), nënën që ka dalë publikisht në mbrojtje të fëmijës së saj.

Veliu, në këtë komision duke kërkuar të justifikojë dhunën e policisë ndaj 15 vjeçarit ka publikuar një video të nënës së tij gjatë xhirimeve të një filmi, duke gjykuar se kjo është mënyra me të cilën fëmija edukohet dhe duke dashur të quajë të drejtë edhe dhunën e ushtruar nga punonjësit e policisë.

Për më tepër, edhe pse thirrja e nënës së fëmijës ishte që Policia e Shtetit dhe institucionet shqiptare të vendosnin përpara ligjit çdo shkelës të tij, përgjigja e Drejtorit të Policisë së Shtetit, në emër të institucionit që ai përfaqëson, është e gjitha në kundërshtim me ligjet e Shqipërisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përgjatë këtij komisioni ka vijuar të sulmojë on-line nënën e djalit duke sugjeruar se fëmija ka një prejardhje nga një familje e paedukuar dhe si i tillë duhej të ishte edhe reagimi i punonjësve të policisë së shtetit.”, thuhet në reagimin e CRCA-së

CRCA, shprehet thellësisht e indinjuar pasi, sjellja e paligjshme e Veliu, përpara Komisionit Parlamentar është një goditje institucionale për Policinë e Shtetit dhe një ftesë e hapur për çdo punonjës policie për të shkelur ligjin me çdo mënyrë dhe çdo mjet./Gazeta SHQIP/