100 mln euro për Bechetti-n/ Ministria e Financave vendos shifrën në listën e detyrimeve të Shqipërisë

Në qershor të vitit 2020, Ministria e Financave ka vendosur në lista për të paguar detyrimin prej 109 milionë euro për biznesmenin Francesco Becchetti, i cili ka fituar në arbitrazh gjyqin ndaj shtetit shqiptar.

Edhe pse nuk ka patur një reagim zyrtar të qeverisë në lidhje me këtë gjyq, në dokumentin e ministrisë së financave për raportin e mesvitit për zbatimin e buxhetit, të vitit 2020 pasqyrohet se gati 91 përqind e detyrimeve që kanë institucionet shqiptare për shkak të gjyqeve të humbura në arbitrazh e zë detyrimi ndaj kompanisë Hydro srl plot 100 milionë euro.

Ky është dokumenti i Ministrisë së Financave, ku pasqyrohet ky detyrim që rrjedh nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit për gjyqin Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë.

Gjyqet me biznesmenin Francesco Becchetti nisën disa kohë më parë duke u mbyllur me një humbje të rëndë për shtetin shqiptar.

Biznesmeni italian ishte angazhuar prej shumë vitesh në një projekt për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivacit. Një seri përplasjes me shtetin shqiptar çuan në ndalimin e projektit dhe zgjidhjen e kësaj situate në gjykatat ndërkombëtare.