Zhdukja e 3 turistëve çekë në Theth, mbërrin në Shkodër përfaqësues të Policisë Kriminale dhe Hetimit nga Çekia…

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër është pritur Delegacioni i Presidiumit të Policisë çeke, me përfaqësues nga Drejtoria e Policisë Kriminale dhe Hetimit dhe nga Drejtoria e Ndërhyrjes së Shpejtë URNA.

Delegacioni kryesohej nga Drejtori i Zyrës së Policisë Kriminale dhe Shërbimit Hetimor të Presidiumit të Policisë çeke, z.Luděk Fiala, i cili shoqërohej nga Kreu i Departamentit të Kërkimit, z. Jan Rybár, Këshilltari për Çështjet e Personave të Zhdukur z. Tomáš Kohout, Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Ústí nad Labem, z. Zbyněk Dvořák dhe 4 përfaqësues të Drejtorisë së Ndërhyrjes së Shpejtë URNA.

Delegacioni u prit nga Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Drejtues Hamdi Fjora.

Qëllimi i vizitës së delegacionit ishte njohja me rezultatet e deritanishme të hetimeve për humbjen e 3 studentëve çekë, në Shkodër. Delegacioni zhvilloi një vizitë në terren, në qarkun e Shkodrës, në zonën e Parkut Kombëtar të Thethit, në vendet ku janë parë për herë të fundit 3 studentët ¬çekë.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka bërë me dije Delegacionit të Presidiumit të Policisë çeke se Policia e Shtetit ka vijuar pa ndërprerje, nën drejtimin e Prokurorisë, punën hetimore për humbjen e 3 studentëve ¬çekë. Z. Vocaj ka theksuar se nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës të Policisë çeke në Shqipëri është shkëmbyer informacion në vijimësi dhe do të vijojnë të shkëmbehen informacione për çështje me interes për policitë e të dyja vendeve.