Vllaznia U17 fiton miqësoren me Kombëtaren U17…

Vllaznia U17 ka fituar me rezultatin 3-2 miqësoren ndaj Kombëtares U17, e cila është zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”.

Nënkmapionët e Shqipërisë kanë treguar një formë shumë të mirë sportive dhe për rrjedhojë kanë dominuar në ndeshjen e luajtur ndaj kuqezinjve të Elvin Beqirit.

Në pjesën e parë ka qenë sulmuesi Antonio Delaj që ka zhbllokuar rezultatin për ekipin tonë. Më pas ka barazuar kombëtarja U17 dhe pjesa e parë është mbyllur në barazim 1-1.

Në fillimin e së dytës ka qenë përsëri Delaj që ka shënuar për Vllazninë dhe sërish kombëtarja ka barazuar por vetëm për pak minuta sepse ka qenë Sefa ai që ka shënuar golin e tretë dhe të fitores për ekipin tonë që kësisoj ka vulosur rezultatin përfundimtar 3-2 në favor të tij.

Trajnerët Bizi e Pirani kanë aktivizuar në këtë miqësore të 22 futbollistët që kanë patur në dispozicion. Ndërkohë që duhet përmendur fakti se me kombëtaren janë aktivizuar në pjesën e dytë edhe dy futbollistë të tjerë të Akademisë Vllaznia, pikërisht portieri Tomas Kiri dhe mesfushori William Cungu.