“Valët e muzikës përçojnë virusin”/ Blendi Klosi lë gafën e vitit: Sa më e lartë të jetë kënga aq më shumë përhapet Covid-19

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ndërsa shpjegonte arsyet për ndalimin e muzikës pas orës 20:00 në lokale dhe mos hapjen e klubeve të natës i habiti të gjithë kur tha se “Valët e muzikës përçojnë virusin”, madje madje sa më e lartë të jetë kënga aq më shumë përhapet Covid-19, sipas ministrit.

“Nuk duhet t’ia bëni pyetjen ministrit të turizmit, por kjo pyetje duhet bërë ekspertëve, që gjykojnë se zonat me muzikë dhe kjo është e vërtetuar se janë zonat ku virusi hapet më shumë se në çdo vend tjetër pasi valët e muzikës janë ato që përçojnë virusin, në distancat që jemi ne të dy mund të mos ketë përçim, në distancat ku ka valë muzike përhapja e virusit është më e madhe. Dhe në ambientet me muzikë sidomos ku përdoret pija alkoolike, njerëzit duke qenë më pranë njëri tjetrit, lëshohen më shumë,”- tha Klosi në emision.

Deri më tani shkencëtarët e studiuesit kishin vërtetuar e faktuar teori nga më të ndryshmet për rrugët se si mund të përhapet virusi, por “gjetjen e madhe” e bëri vetë ministri Klosi. Tashmë edhe muzika qenka ‘rrezik’ më vete.

Dhe siç tha vetë ministri “sa të rrosh, do mësosh”.