Turqia vendi me rritjen ekonomike më të lartë në G20 gjatë tremujorit të parë 2020

OECD-ja publikoi raportin me të dhënat e përkohshme të rritjes ekonomike të shteteve anëtare të G20-s për çerekun e parë të këtij viti.

Sipas raportit të OECD-së, në tremujorin e parë të 2020-s, Turqia regjistroi rritjen më të lartë vjetore në mesin e ekonomive të G20-s me 4,4%, ndërsa Kina shënoi tkurrjen më të madhe vjetore me 6,8%.

Krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2019, rritja ekonomike e Indisë në çerekun e parë të 2020-s ishte 0,7% dhe ajo e Turqisë 0,6%.

Gjithnjë në bazë të raportit të OECD-së, rënia e PBB-së (prodhimi i brendshëm bruto) reale të G20-s është 3,4% në çerekun e parë të këtij viti, tkurrja më e madhe që nga fillimi i mbajtjes së regjistrave në vitin 1998.

Ndërkohë, PBB-ja vjetore e G20-s u tkurr me 1,5% në tremujorin e parë të vitit 2020, pas rritjes me 2,8% në tremujorin e kaluar.

Raporti shton gjithashtu se vendet që i filluan më herët masat për frenimin e përhapjes së COVID-19, pësuan edhe rëniet më të mëdha të PBB-së në tremujorin e parë të 2020-s.

Në tremujorin e parë të vitit 2020 Kina pësoi një rënie me 9,8%, e ndjekur nga Franca dhe Italia me nga 5,3%.

PBB-ja ra ndjeshëm edhe në Gjermani, Kanada e në Mbretërinë e Bashkuar, përkatësisht me 2,2%, 2,1% dhe 2%.

Vende të tilla si Brazili, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut regjistruan gjithashtu tkurrje të PBB-së së tyre.

Tkurrja ishte më pak e theksuar në Indonezi me 0,7%, Japoni me 0,6% dhe Australi me 0,3%.