
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se autoritetet e përkohshme në Venezuelë do t’i “dorëzojnë” Shteteve të Bashkuara mes 30 dhe 50 milionë fuçi naftë, me një vlerë të përafërt prej 2.8 miliardë dollarësh, pas operacionit ushtarak amerikan që çoi në largimin nga pushteti të Nicolás Maduros.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se nafta do të shitet me çmimin e tregut dhe se të ardhurat do të administrohen prej tij, për t’u përdorur “në dobi të popullit të Venezuelës dhe të SHBA-ve”.
Deklarata vjen një ditë pasi Delcy Rodríguez u betua si presidente e përkohshme e Venezuelës, ndërsa Maduro është dërguar në SHBA për t’u përballur me akuza për trafik droge dhe armësh.
Trump ka pohuar gjithashtu se industria amerikane e naftës do të jetë “plotësisht operative” në Venezuelë brenda 18 muajsh dhe se investime të mëdha priten të derdhen në vend. Megjithatë, analistët theksojnë se rikthimi i prodhimit venezuelas në nivelet historike do të kërkonte dhjetëra miliarda dollarë dhe shumë vite kohë.
Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, rreth 303 miliardë fuçi, por prodhimi ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i viteve 2000. Nafta venezuelase është e rëndë dhe e vështirë për t’u rafinuar, ndërsa aktualisht vetëm Chevron ka prani aktive në vend.
Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë pretenduar se Venezuela ka “vjedhur” pronë amerikane në sektorin e naftës, por ekspertët theksojnë se situata ligjore është më komplekse, pasi nafta ka qenë gjithmonë pronë e shtetit venezuelas, pavarësisht marrëveshjeve me kompani të huaja.




