Tregtarët e Zdrales në Shkodër kërkojnë heqjen e taksës vendore: Po falimentojmë, ka rënë fuqia blerëse

Tregtarët e Zdrales në Shkodër dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur kërkojnë heqjen e taksës vendore. Ky propozim është bërë nga bashkia Shkodër, por nuk është miratuar nga këshilli bashkiak.

Ato thonë se biznesi i vogël është në faliment pasi ka rënë ndjeshëm fuqia blerëse.

“Ne kemi ngritur problemin e pagesës së taksave vendore, për arsye se biznesi i vogël është në gjendje katastrofale. Praktikisht jemi duke falimentuar. Po pundohemi të zgjatim jetën tonë me shpresën se dicka mund të përmirësohet. Ka rënë fuqia blerëse, ekonomia është mjaft e dobët. E dyta është ngarkesa fiskale. Kjo pandemia ia vuri kapakun dhe po na shkatërron totalisht”, tha një prej tregtarëve.

Sindikata e Pavarur i bëri apel këshillit bashkiak që të heqin taksën e vendore, pasi në të kundër biznesi do të falimentojë.

“Po vjen fundi i muajit dhe duhet të paguhet taksa vendore. në rast se nuk paguhet fillon penalizimi i biznesit të vogël. Ky biznes po penalizohet edhe me gjobën 5%. Në mbledhjen e këshillit bashkiak mendova se do të merrej në shqyrtim heqja e taksës. I bëj thirrje këshillit bashkiak mos merret me probleme që nuk i interesojnë popullit të Shkodrës. Biznesit duhet ti falet taksa vendore deri në përfundim të pandemisë”, përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të biznesit të vogël.