Topalli: Mandatet tona do i bashkohen të djathtës…

Jozefina Topalli në cilësinë e kryetares “Lëvizja për ndryshim”, tha se forca e saj politike, pas zgjedhjeve të 25 Prillit do t’i bashkojë me të djathtën mandatet që do të fitojë, me qëllim largimin e kryeministrit Rama nga pushteti.

Gjatë intervistës së saj në emisionin “Opinion”, Topalli tha se në fakt bashkë me Ramën duhet të largohen edhe kryetarët e dy partive të tjera, (duke lënë të kuptohet për LSI dhe PD) për të cilët tha se janë përgjegjës që e kanë mbajtur 8 vite në pushtet Edi Ramën.

Pjesë nga intervista në Opinion

Fevziu: Përse nuk hyni në koalicion me të djathtën në mënyrë që asnjë votë të mos shpërdorohet?

Topalli: Sepse ka një ndryshim shumë të madh mes lidershipit që mban emrin e PD dhe mënyrës, parimeve, vlerave që unë besoj. Prandaj ju thashë mandatet që do të marri “Lëvizja për ndryshim” do i bashkohen mandateve të së djathtës, për të krijuar një qeveri të së djathtës për të rrëzuar Edi Ramën, por bashkë me të me largu edhe dy kryetarët e tjerë të partive që janë faktorë kryesorë me të cilët herë pas here ka qeverisur Edi Rama dhe që kanë po aq përgjegjësi që e kanë mbajt Edi Ramën 8 vite në pushtet./Opinion.al