Testi me malazezët, Vllaznia bën prova përpara Superkupës ndaj Tiranës. Rikthehet edhe… Latifi…

Vllaznia ka luajtur dje miqësoren e parë në Ulqin, teksa si kundërshtar ka pasur skuadrën e Ligës së Tretë malazeze, FK Zora Shpuz.

Skuadra e Mirel Josës ka fituar me shifrat 3-0, duke bërë diferencën ndaj kundërshtarit, që duhet thënë se ishte i një niveli modest.

Megjithatë, ky test ka vlejtur për trajnerin Mirel Josa, për të parë më mirë gjendjen e lojtarëve pas javës së parë stërvitore, në kuadër të finales së Superkupës kundër Tiranës më 7 dhjetor.

Në minutën e 7-të ishte Herald Marku që kthehu në gol një penallti, ndërsa në pjesën e dytë shënuan Kristjan Vulaj dhe Ante Aralica, të cilët e nisën ndeshjen nga stoli dhe u aktivizuan si zëvendësues.

NDESHJA – Me Zogoviçin mes shtyllave, Vllaznia e ka nisur ndeshjen me malazezët me dy ndryshime të detyruara në mbrojtje. Përveç malazezit Darko Bulatoviç, që ka mbyllur vitin për shkak dëmtimi, edhe kroati Marko Juriç ka munguar në testin e djeshëm prej problemeve fizike që ka pasur së fundmi.

Kësisoj, në qendër të mbrojtjes luajtën Dajan Shehi dhe i riu Flori Spahija. Nga krahët ishin vendosur të zakonshmit Gurishta dhe Hakaj, ndërsa në mesfushën me tre luajtën si titullarë Boshnjaku, Jonuzi dhe Alivoda.

Në repartin e sulmit Josa preferoi në majë vlonjatin Hoxhaj, i cili mbështetej nga Marku dhe Çoba. Titullari i zakonshëm, Mala, e nisi nga stoli këtë miqësore.

Që në fillim shkodranët rrezikojnë, teksa pas një pengimi në zonë të Hoxhajt, arbitri akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë nuk fal pas goditjes me të majtën të Herald Markut.

FK Zora mundohet të reagojë, por shkodranët bëjnë diferencën dhe krijojnë disa raste të pastra për shënim njëri pas tjetrit, nga ku bëhen protagonistë Hoxhaj, Alivoda dhe Çoba, por pa arritur që t’i kthejnë në gol.

Skuadrat shkojnë në pushim me avantazhin minimal të shkodranëve, ndërsa trajneri Josa aktivizon në pjesën e dytë plot 10 futbollistë, duke filluar nga portieri Qarri e me radhë Smajlin Heriçin, Krujën, Malën, Latifin, Vulajn, Aralicën dhe Kainën. Pas gati tre muajsh larg fushave, merr më në fund minuta edhe Latifi, duke dhënë sinjale të mira se do të jetë gati për finalen e Superkupës.

Në minutën e 71-të, pas një veprimi shumë të bukur brenda zonës, është Vulaj që dyfishon shifrat. Nuk kalojnë shumë minuta nga ky gol dhe sulmuesi kroat, Ante Aralica, trefishon shifrat pas devijimit me kokë në zonë.

Shtatlarti vjen pas disa ditësh jo pak stresuese, teksa u përfshi në një aksident pas kthimit në Shkodër, por që për fat të mirë nuk pati probleme për të, por vetëm dëme materiale të makinës me të cilët udhëtonte nga Kroacia.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL