“Tamponet me racion!”/ Bardh Spahia-Manastirliut: Merr masa për kite të tjera testesh, gjurmim serioz të kontakteve

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka sulmuar sërish qeverinë lidhur me numrin e tamponëve që bëhen në vend për gjurmimin e covid-19.

Spahia thotë se dhe sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk i kurseu videot e propagandës, ndërsa shtoi se tamponët janë me racion.

Deklarata e PD

Edhe sot ministrja e shëndetësisë nuk na e kurseu videon e përditshme të propagandës, se sa i kënaqur është personeli shëndetësor, aty ku ajo shkon me kamerën e ERTV-së.

Por realiteti edhe sot i doli më kokëfortë se akrobacitë e propagandës, si për mungesën e vëmendjes ndaj personelit shëndetësor ashtu edhe për tamponë që jepen me racion kur kërkohen, e për qokë sa herë ka rast. Denoncimi që përcollëm pak ditë më parë se në Shkodër jepeshin me racion 5 tamponë në ditë, u duk si rast i izoluar, por nuk është kështu.
Sot ndoqa me shqetësim denoncimim e kryetarit të Konfederatës së Mjekëve të Durrësit, që deklaronte se u jepeshin vetëm 15 tamponë në ditë, e ISHP refuzonte t’u jepte më shumë, pavarësisht nevojës shumë më të madhe, e më pas thjesht nuk u përgjigjej telefonatave.

Akoma më shqetësues ishte denoncimi nga Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, i rastit të një infermiereje me simptoma prej 4 ditësh, pjesë e ekipit që kishte trajtuar punonjësit me shenja Covid-i të një fasonerie, të cilës nuk i bëhej tamponi!!!
Këto janë raste konkrete dhe kanë të bëjnë me sigurinë si të personelit ashtu edhe të qytetarëve.

As edhe njëherë të vetme zonja ministre nuk flet për këtë situatë, ndërsa kryeministri ka hequr dorë dhe është fshehur, qëkur situata i ka dalë jashtë kontrollit! Nuk ka qeveri në planet, që të jetë kaq mospërfillëse për një situatë të cilën e ka krijuar me papërgjegjshmërinë e saj! Një dështim që mban emrin e Edi Ramës dhe të gjithë atyre që në mënyrë militanteske besuan dhe ende besojnë se situata mund të vihet nën kontroll me propagandë! Zonja ministre merr masa për kite të tjera testesh, sepse kjo rritje e përditshme e numrave të të infektuarve, imponon gjurmim serioz të kontakteve, shumë më të larta në stinë pushimesh, se në periudhat e tjera të vitit!