Talenti 13 vjeçar, Geart Ferhati, krijon projektin për takime të digjitalizuara mësues-prindër

Do t’ju njohim me një djalë shumë të talentuar në fushën e informatikës. Edhe pse është vetëm 13 vjeç, Geart Ferhati ka arritur të krijojë një projekt, sistem menaxhimi digjital për takimet e mësuesve me prindërit, që për të shihej si domosdoshmëri…

Basketbolli, muzika Rock dhe udhëtimet janë hobet e tij, por programimi kryeson pasionet më të mëdha. Gearti Ferhati këtë e tregon me krijimin që ka i ka bërë së fundmi një projekt sistem menaxhimi digjital i cili do t’i vijë në ndihmë mësuesve, prindërve por edhe nxënësve. 13-vjeçari, i cili është në klasën e shtatë në shkollën jo-publike “Rreze Drite” na prezanton me School Management System. Ne kemi zhvilluar një intervistë me të për të na treguar detajet e këtij krijimi të veçantë e që vlen për t’u duartrokitur.

Ju ftojmë ta lexoni:

Në radhë të parë të shpreh urimet e mija për projektin e arrirë që ke bërë në fushën e informatikës, duke iu referuar edhe moshës relativisht të vogël që ke. 

Ju falënderoj për vëmendjen dhe vlerësimin!

School Management System – Si të lindi ideja për të bërë një program të tillë apo një uebsajt, i cili do të jetë i aksesueshëm për trekëndëshin mësues-prindër-nxënës?

Unë kam pothuajse një vit që ndjek kurset e programimit. Kam filluar me Scratch, Robotikë, Stencyl, Cyber Security dhe sapo kam përfunduar me Python. Në fakt, ideja ishte shumë spontane, ndodhi gjatë një takimi me prindër në shkollë. Ishte e shtunë dhe ne kaluam shumë orë duke pritur në radhë për të takuar mësuesit pasi pjesëmarrja e prindërve ishte shumë e madhe. Prandaj mendova, pse mos ta dixhitalizojmë takimin me prindër dhe atë kohë t’ia dhurojmë familjes për aktivitete të tjera?! Bëra një analizë të njohurive të mia dhe menjëherë nisa punën. 

Çfarë ofron dhe si funksionon ky program?

Projekti im “School Management System” është një sistem që ndihmon menaxhimin e shkollave. Këtu përfshihen funksione të veçanta për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. E thënë më qartë, është një regjistër elektronik interaktiv. Mësuesit mund të pasqyrojnë aty notat. Nxënësit mund të njihen me notat e çdo lëndë online dhe prindërit gjithashtu mund të njihen me rezultatet e fëmijëve të tyre nëpërmjet këtij sistemi. 

A e ke vënë në zbatim? Nëse po, ai ishte i lehtë për t’u përdorur nga palët e interesuara dhe nëse jo kur mund të zbatohet, ke një plan edhe për këtë? 

Projekti sapo ka përfunduar por është akoma në versionin beta. Si fillim do e testoj me klasën time, kjo për të kuptuar edhe problematikat që mund të hasen gjatë përdorimit. Ajo çfarë unë pres nga ky projekt është të gjej sa më shumë përdorues të interesuar dhe ta zhvilloj në faza të tjera edhe më të komplikuara duke përfshirë ndërveprimin mësues-nxënës përmes hapësirës së detyrave apo projekteve që mësuesi i hedh në këtë Website. 

A  ishte e vështirë ta krijoje dhe tek cilat njohuri u mbështete? 

Nuk dua ta quaj të vështirë, preferoj të them që ky projekt ishte shumë sfidues për mua. Për të krijuar këtë website kam përdorur  disa gjuhë programimi Python, HTML-CSS dhe PHP

Kujt ja ke treguar idenë tënde në fillim?

Familjes. E diskutova me babin në fillim, pastaj ia prezantova edhe mamit dhe vëllait. 

Po më pas?

Pasi kisha punuar me skemën logjike të projektit ia prezantova edhe Johnnit, që është profesori im në ICTSlab. Ai e pëlqeu shumë si ide dhe më tha: It’s your Challenge!  Kjo më dha shumë kurajë për të vazhduar më tej. 

Pse ke zgjedhur që projektin tënd ta prezantosh në anglisht në kanalin tënd të Youtube të cilin po kështu e paraqet në gjuhën angleze? 

Gjuha angleze është  globale. Unë edhe pse jetoj në Shqipëri e ndjej tashmë veten pjesë të një komuniteti global programuesish. Nuk e përjashtoj mundësinë që në një të ardhme të jem pjese e një projekti ndërkombëtar, teknologjia nuk njeh kufij.

Domethënë idetë e tua janë largpamëse! Çfarë dëshiron të arrish pas shumë vitesh, kur do të jesh edhe më i rritur, kuptohet?

Unë jam akoma në hapat e para të programimit. Për të arritur qëllimet e mia duhet shumë punë e përkushtim. Për momentin, dëshira ime më e madhe është të arrij të jem student në një nga universitetet më të mira të teknologjisë në botë, MIT ( Massachusetts Institute of Technology). 

Dëshiron t’i japësh një mesazh të gjithë bashkëmoshatarëve të tu?

Do doja t’i thoja gjithë bashkëmoshatarëve të mi thjesht të besojnë tek vetja, më punë dhe përkushtim mund të arrini të realizoni pasionet tuaja. Mos u dorëzoni asnjëherë!

Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku