
Qeveria e Spanjës ka ndezur debat të madh në arenën sportive dhe politike, pasi ka kërkuar përjashtimin e Izraelit nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare të futbollit. Kryeministri Pedro Sánchez është shprehur se Izraeli duhet të trajtohet njësoj si Rusia pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke iu ndaluar pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare.
Edhe Patxi López, një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, ka shtuar se Spanja duhet të shkojë deri në fund me këtë qëndrim dhe të marrë në konsideratë bojkotimin e Botërorit 2026 nëse Izraeli kualifikohet.
Ky pozicionim vjen si reagim ndaj luftës në Gaza dhe ka shtuar tensionet jo vetëm në botën e futbollit, por edhe në politikën ndërkombëtare. FIFA dhe federatat përkatëse ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare mbi këtë çështje.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, por tashmë sfida sportive shoqërohet me një debat të fortë politik që mund të ndikojë në turneun më të madh të futbollit botëror.




