
Ajo për të cilën nuk duhet të kihet fije dyshimi është se në Evropë, feja dhe besimi që komandon zemrat dhe dikton ndjenjat e njerëzve, dhe që ka pushtetin mbi shpirtin njerëzor, është materializmi dhe jo krishterimi. Këtë fakt e di gjithkush që ka pasur lidhje të gjalla me Evropën. Por këtë bindje e ka edhe ai që ka pasur lidhje me Evropën qoftë edhe nëpërmjet librave, por që nuk është mashtruar me aparencat fetare, të ngjashme me vizitën javore që njerëzit atje bëjnë në kishë duke marrë pjesë në ritualet tradicionale të saj.
Të gjithë këtë na e sjell në mënyrë të qartë dhe të përkryer mendimtari austriak i udhëzuar në Islam, Muhamed Esed, në librin e tij: “Islami në udhëkryq”. Ai thotë:
“Nuk ka dyshim se akoma sot, në Perëndim ka njerëz, të cilët jetojnë dhe mendojnë sipas mënyrës fetare, si dhe punojnë me të gjitha mundësitë e tyre për praktikimin e bindjeve, me shpirtin e qytetërimit të tyre, mirëpo këta janë vetëm një pakicë. Njeriu i zakonshëm dhe që haset rregullisht në Evropë, qoftë demokrat apo fashist, kapitalist apo socialist, punëtor krahu apo i klasës së inteligjencës, është pikërisht ai që njeh vetëm një fe dhe besim që është adhurimi i skllavërisë materialiste dhe besimi se nuk ka qëllim tjetër në jetë, përveçse bërja e saj sa më e lehtë për njeriun, thënë më qartë dhe më saktë, “liria absolute” nga të gjitha kushtet e natyrshmërisë, ndërsa kishat e këtij besimi janë fabrikat e mëdha, kinematë, laboratorët kimikë, qendrat e argëtimit, qendrat prodhuese të energjisë, ndërsa priftërinjtë këtu janë presidentët, kambistët, inxhinierët, aktorët, yjet e kinemasë, zotëruesit e tregtisë dhe të industrisë, pilotët dhe rekordmenët të cilët priren të thyejnë rekorde. Pasojë e gjithë kësaj dëshire dhe prirjeje të shfrenuar është, domosdoshmërisht, dalja në skenë e palëve kundërshtare të armatosura deri në dhëmbë, e përgatitjeve luftarake me qëllim dëbimin e palës kundërshtare, nëse kjo ia prish interesat dhe tekat palës tjetër, ndërsa në aspektin qytetar, pasojë e kësaj është shfaqja e modelit të njeriut, i cili beson te vlera vetëm në dobinë praktike dhe që shembulli më i përkryer dhe më i lartë, si dhe dallimi mes së mirës dhe së keqes, është vetëm suksesi material dhe asgjë tjetër”.
“Allahun, qytetërimi perëndimor nuk e mohon me ashpërsi dhe vrazhdësi, mirëpo në sistemin ideologjik të tij, praktikisht nuk ka vend për Të dhe nuk shihet as ndonjë dobi dhe nevojë për Të“.
Dhe vlerën e këtyre dëshmive ndaj pozitës së fesë në jetën evropiane si dhe ndikimin e tyre, ndoshta e pakëson fakti se mbartësi i tyre ka përqafuar Islamin. Dhe ja pra, këtu do t’ju sjellim një dëshmi më të qartë dhe më argumentuese për mungesën e prezencës së fesë zyrtare në shumicën e qendrave të saj, si dhe të prirjes së njerëzve për të mohuar përkatësinë e tyre në të, dëshmi që na e sjell njëri nga profesorët e njohur në Londër, dhe autorët e njohur të literaturës angleze.
Prof. Xhodi, përgjegjës i katedrës së filozofisë dhe psikologjisë në Universitetin e Londrës, në librin e tij: “Guide to Modern Wickedness”, thotë:
“Kam pyetur njëzet studentë dhe nxënës, që të gjithë në fillimet e dhjetëvjeçarit të dytë të jetës së tyre: sa prej tyre janë të krishterë, në çfarëdo kuptimi të kësaj fjale. Dhe vetëm tre prej tyre m’u përgjigjën po, ndërsa shtatë prej tyre më thanë që kurrë nuk e kanë çuar mend këtë gjë, kurse dhjetë të tjerët u shprehën se janë kundër krishterimit.”
Këtë përqindje mes atyre që besojnë në krishterim dhe e praktikojnë atë, si dhe mes atyre që nuk e besojnë krishterimin në këtë vend, nuk e konsideroj si diçka të rrallë dhe të çuditshme. Po, nëse këtë pyetje do t’ia kishte drejtuar ndonjë grupi para pesëdhjetë, apo edhe njëzet vjetësh, përgjigjet do të ishin të ndryshme nga këto të lartpërmendurat, dhe se ata që do të ishin të një mendimi me Canon Barry-n dhe do të pretendonin që lulëzimi dhe zhvillimi i krishterimit do ta shpëtonin botën, do të ishin veçse një pakicë e vogël, sepse unë nuk shoh që këtë mendim të tijin ta arsyetojë dhe ta mbështesë gjë, veçse dëshira dhe pasioni i tij, pasi shpesh ndodh që pasionet të krijojnë ide, por kurrë dëshmi dhe fakte. Aktualiteti, por edhe trashëgimia, tregon që krishterimi në këtë vend do të vdesë në shekullin pasardhës.
Dhe ja ku po ju sjellim një pasazh simbolik që e mbështet këtë mendim, shkëputur nga një gazetë ditore:
“Një shtatëdhjetë e shtatëvjeçar zgjodhi një mënyrë, me të cilën kopjet e vjetëruara të librit të shenjtë (Biblës), t’i kthejë në lëndë të parë për prodhimin e mëndafshit artificial, të plastikës dhe kartmonedhave të shtrenjta. Me këtë shpikje, njeriu që e solli atë në jetë arriti një fitim dhe kapital të madh, ndërkohë që më parë kishte jetuar një jetë të mundimshme”.
Dhe profesori e mbyll fjalën e tij me një thënie nga Teurati (Torah), ku mund të thuhet se është më e përkryera për t’iu drejtuar priftërinjve dhe njerëzve të tillë të fesë si Canon Barry-t e të tjerëve: “Le të dëgjojë ai që ka veshë”.
Dhe po ky autor në librin tjetër të tij, “Philosophy for Our Times” (Filozofia për kohët tona), thotë:
“Prej shekujsh, akoma dhe sot, në Angli vazhdon të mbretërojë mentaliteti i fitimit dhe sigurimit të pasurisë dhe pronës, ndërkohë që dëshira për sigurimin e pasurisë vazhdon të mbetet faktori më i fortë në jetën e njerëzve dhe nxitësi më i madh për punë, pasi pasuria është rrugë drejt zotërimit, ndërsa sasia e madhe e saj, parametër për aftësinë dhe kapacitetin e njeriut. Njerëzit vazhdojnë të thithin nëpërmjet politikës, kulturës, filmave, shtypit, radios dhe televizionit dhe në ndonjë rast edhe nga podiumet e kishave, në çdo vit dhe muaj bile, nxitje dhe propagandë për fitim dhe grumbullim pasurie, si dhe bindjen se një popull i qytetëruar është ai që e rrit dhe e shton ndjenjën e përfitimit dhe të pasurisë materiale. Ky adhurim ndaj pasurisë dhe materies bie ndesh me bindjet tona fetare, pasi feja e lëvdon varfërinë, ndërsa e kritikon pasurinë.”
Më tej ai vazhdon: “I varfëri është më i ndreqshëm se i pasuri. Urtësia dhe feja janë unanime sa i takon faktit që varfëria është më afër për adhurimin e Zotit dhe hyrjen në parajsë. Mirëpo njerëzit nuk shfaqën interes për ta besuar fenë në këtë punë dhe në ligjet e saj, duke vazhduar t’i mëshojnë idesë së përfitimit material duke e vënë këtë në plan të parë, dhe në preferencat e tyre para kënaqësisë së parajsës së premtuar. Ndoshta ata besojnë se nëse pendohen në fund të jetës së tyre, ata mund ta arrijnë mirësinë e jetës së përtejme, sikurse e patën mirësinë e kësaj jete nëpërmjet pasurisë dhe parave të vendosura në banka”.
Këtë mendësi të tyre e shpreh edhe Samuel Butler në librin e tij, me fjalët: “Disa autorë thonë që e kemi të pamundur ta bëjmë bashkë adhurimin e Zotit me atë të pasurisë dhe unë e pranoj që çështja nuk është e lehtë, mirëpo kur vallë do të jenë preokupimet në këtë jetë të lehta dhe të thjeshta?”
Dhe sado që të jemi të ndryshëm në parime, e vërteta e pamohueshme është se të gjithë ne jemi të zhytur në përcaktimin e Butler-it dhe pasuesve të tij, sepse të gjithë ne jemi tepër të dhënë dhe të apasionuar pas pasurisë dhe parasë, dhe bindja e besimi ynë është që pasuria dhe kapitali është parametri i saktë që vlerëson madhështinë dhe performancën e njeriut dhe të shtetit, dhe shkak për daljen në skenë të dy parimeve, të cilët kanë një rëndësi të madhe historike.
I pari është parimi i mosndërhyrjes ekonomike, i cili ka qenë i përhapur gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Propaganduesit e këtij parimi pretendonin që njeriu e ndërton punën e tij mbi interesin dhe dobinë më të madhe që i sjell atij puna dhe se nxitësi në punë dhe vepra nuk është kënaqësia dhe përjetimi i ndjenjave të brendshme, përkundrazi kënaqësia dhe përjetimi material.
Parimi i dytë është ai i shekullit të njëzetë, i quajtur parimi i rregullimit ekonomik, që i atribuohet Marksit. Ky parim ngrihet mbi devizën se sistemi ekonomik i njeriut bazohet në nevojat e tij materiale dhe është ky sistem i cili formon kulturën, moralin, fenë, logjikën dhe sistemin qeverisës. Dhe të dy këta parime nuk do ta kishin pasur atë pranim që në fakt e patën sikur të mos ishte prirja e njerëzve në vendet tona për pasuri dhe përfitime materiale, si dhe interesi i tepruar i tyre për to”.
Në një pjesë tjetër të këtij libri, ai thotë:
“Teoria apo nocioni mbi jetën që sundon dhe dikton në këtë kohë është vështrimi i çdo çështjeje dhe interesi nëpërmjet barkut dhe xhepit” (Stomach and pocket view of life).
Gazetari i njohur amerikan, John Gunther, e shpreh në mënyrë të përkryer këtë mentalitet në librin “Brenda Evropës”, teksa thotë:
“Anglezët, në fakt, adhurojnë Bankën e Anglisë gjashtë ditë në javë, ndërsa ditën e shtatë të javës drejtohen për në kishë”.




