Skuterët elektrikë, ekspertët rrugor: Duhet leje drejtimi, kanë fuqi motorike…

Skuterët elektrik janë kthyer në prirjen e kohëve të fundit, sidomos pas periudhës së karantinës, një alternativë më e mirë për të shmangur transportin publik, por dhe për të mbërritur më shpejt në vendndodhjen e dëshiruar.

Mirgen Qiraxhi, tregon se për shkak të trafikut të rënduar, ka gjetur zgjidhje tek ky lloj mjeti, i cili mjafton të ngarkohet për 4 orë me energji elektrike dhe mund të përshkojë deri në 30 kilometra.

“Mund të përjetosh Tiranën pa stres parkimi, pa stres autobuzësh, je gjithmonë me shpejt për të shkuar atje, ku do, ka një avantazh pasi nëse je i ftuar në tryeza, nuk krijon lodhje, djersitje… kjo ka 3 përshkallëzime të shpejtësisë, E-15 km/orë, D-20 km/orë, dhe Sport-25 km/orë, por unë nuk i përdor pasi përdor shpejtësi normale. Varianti normal kushton 450 euro, ndërsa varianti më i mirë 560 euro,” – shprehet Qiraxhi.

Ndonëse të ofrojnë shumë lehtësira, mesa duket askush nuk është i informuar, se për të drejtuar një skuter, duhet leje drejtimi. Ato i gjen shumë lehtë në çdo dyqan që pajisjesh elektronike dhe nuk kërkohet asnjë lloj dokumenti apo dhe mosha e blerësit. Eksperti rrugor, Fatmir Hasho, ngre shumë pikëpyetje lidhur e përdorimin e tyre.

“Duhet pyetur si kanë ardhur, si janë futur në doganë? Me çfarë motivi, a kanë ndonjë certifikatë të komforditetit të mjeteve? Unë do të thosha që në këtë moment duhet të filloj një fushatë nga policia rrugore për të parë, kujt i jepen në përdorim. A duhet të qarkullojë në rrugën e biçikletave apo jo? A duhet të qarkullojë në koristë e mjeteve apo jo? Fuqinë e kishin jo të vogël, por dhe shpejtësia shkonte deri në 25 km në orë, është goxha shpejtësi….këto janë me motor, duhet të përfshihen në kategorinë L1, sipas kodit rrugor. Por ca do të thotë kjo? Nëse do të kemi një mjet të kategorisë L1, detyrimisht duhet të kesh një leje drejtimi të kategorisë AM. Kategorinë AM në përgjithësi e kanë ata që kanë kaluar testimin dhe ata që kanë një patentë të kategorisë B, pra të drejtimit të automjeteve,” – thotë eksperti Hasho.

Kjo situatë ndodh vetëm në Shqipëri, pasi në disa vende të botës, ky lloj mjeti lëvizës, është kthyer në një problem, ku nuk kanë qenë të pakta rastet kur janë shkaktuar aksidente nga përdoruesit e tyre, madje disa me pasojë vdekjen.

Në Francë ata që ngasin një skuter në trotuar gjobiten me 135 euro gjobë si dhe shpejtësia e lejuar nuk duhet të jetë më shumë se 20 km.

Në Itali skuterët nuk mund të përdoren në trotuare, nuk mund të lëvizin më shumë se 25 km në orë në rrugë ose jo më shumë se 6 km në pjesë ku ka grumbull këmbësorësh. Mosha minimale për përdorimin e tyre është 14 vjeç dhe ata nën 18 vjeç duhet të përdorin mbajtëse ne kokë.