Shqiptarja gjen 8 mijë euro në tragetin e Barit dhe ia kthen pronarit: “Do ta bëja sërish pa u menduar”…

Shpërndaje


BARI – Një gjest i rrallë ndershmërie është regjistruar në portin e Barit, ku një grua shqiptare ka gjetur një borsello me 8 mijë euro, dokumente personale, pasaportë dhe telefon celular në një traget me destinacion Korfuzin, dhe e ka dorëzuar menjëherë tek autoritetet për t’ia kthyer pronarit.

Protagoniste e këtij veprimi është Andonia Tufa, 69 vjeçe, e ardhur nga Shqipëria në Itali 22 vite më parë dhe aktualisht rezidente në Ariano Irpino, në provincën e Avellinos, ku punon si kujdestare për një të moshuar.

Sipas medias lokale italiane Ottopagine, gruaja ishte nisur drejt Korfuzit, ku jeton djali i saj, kur vuri re borsellon e braktisur në traget. Ajo e dorëzoi menjëherë dhe falë një njoftimi përmes altoparlantit, policia arriti të identifikojë pronarin – një shtetas grek që e kishte humbur pa e kuptuar.

Gjestin e saj e kanë përshëndetur pasagjerët, ekuipazhi i tragetit dhe kapiteni i anijes, ndërsa familja ku ajo punon e ka vlerësuar publikisht.

Jam rritur me këto vlera dhe këto mësime. Në vend të atij të riu mund të ishte edhe djali im. Nuk mund të bëja sikur nuk e pashë. Ndihem me ndërgjegje të pastër dhe do ta bëja sërish pa u menduar asnjë çast,” – ka deklaruar Tufa.

Për veprimin e saj, ajo ka marrë edhe një shpërblim simbolik nga pronari i çantës./Ilmessaggero

Shpërndaje