Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare për kufizimin e zonave detare…

Shqipëria dhe Greqia janë dakorduar që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, ndërkohë do të fillojnë punën për të organizuar edhe një mbledhje të përbashkët qeveritare.

Shqyrtimi i çështjes në fjalë në gjykatën ndërkombëtare u konfirmua sot gjatë deklaratës së përbashkët për mediat të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, të cilët gjithashtu u fokusuan edhe në çështjet e bashkëpunimi mes dy vendeve dhe në aspektet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE). 

Rama theksoi se dy vendet janë dakord për t’i adresuar dhe për t’i zgjidhur me frymë konstruktive dhe me vullnet të mirë, të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes dy vendeve.

“Për ne Greqia që në krye të herës ka qenë një partner strategjik dhe mbetet një partner strategjik. Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar dhe patjetër që partneriteti ynë strategjik me Greqinë është një partneritet për të ardhmen, duke mos harruar asnjëherë gjithçka që na lidh nga e shkuara, e afërt dhe e largët”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha se kanë rënë dakord që të fillojnë punën për të organizuar edhe një mbledhje të parë të të dyja qeverive, mes Qeveria së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shqipërisë.

Në lidhje me çështjen e hapur mes dy vendeve për kufizimin e zonave detare, Rama theksoi: “Me shumë kënaqësi mund ta them nga ana ime që kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi i në bazë të ekspertizës dhe në bazë të drejtës ndërkombëtare të detit. Ne jemi plotësisht dakord dhe në këtë mënyrë do të fokusohemi tek bashkëpunimi ekonomik, te bashkëpunimi rajonal dhe tek njerëzit, të bëjmë më të mirën për qytetarët shqiptarë me kombësi greke që jetojnë në Shqipëri dhe për qytetarët grekë apo ende jo grekë me kombësi shqiptare që jetojnë në Greqi”.

Kujtojmë se në prill të vitit 2018, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht fillimin e bisedimeve për kufizimin e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë mes palëve ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mbi kufizimin e zonave detare.

Kryeministri Rama në fund theksoi se “Nuk është ende një çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur, por që është në një diskutim shumë pozitiv dhe që së shpejti unë kam shumë besim që do të përfundojë në mënyrë pozitive, që është heqja e ligjit të luftës”. 

“Integrimi i Shqipërisë në BE është një objektiv i përbashkët”

Kryediplomati grek theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve mund të funksionojë duke përforcuar integrimin e Shqipërisë në BE, dhe sipas tij, duke pasur marrëdhënie të mira të fqinjësisë dhe duke përforcuar stabilitetin “në një zonë të ndjeshme siç është zona jonë”.

Ai theksoi se integrimi dhe hyrja e Shqipërisë në BE është një objektiv i përbashkët dhe shtoi se Greqia ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme si objektiv strategjik integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne diskutuam për çështjen e përcaktimit të hapësirave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Zgjidhja e kësaj divergjence do të jetë e dobishme për të dyja vendet. Duke analizuar këtë çështje ne kemi rënë dakord si Shqipëri dhe Greqi së bashku në kalimin e kësaj çështjeje në të drejtën ndërkombëtare, në Gjykatën e Hagës. Kjo marrëveshje e Shqipërisë dhe Greqisë mbështetet pikërisht në një qëndrim të të dyja vendeve, në mentalitetin e përbashkët për zgjidhjen e çdo divergjence”, tha Dendias.

Ministri i Jashtëm grek theksoi se kanë referuar çështjen e ligjit të luftës që Greqia mban me Shqipërinë dhe në lidhje me këtë temë ai shtoi se “Kjo gjë është një anakronizëm dhe jam i sigurt se edhe këtë do ta zgjidhim së bashku. Është gëzim i madh për mua që kam mundësinë ta them këtë gjë këtu nga Tirana, në opinion publik shqiptar me urdhër të kryeministrit Mitsotakis”.

Dendias në lidhje me Turqinë theksoi se “Përkundrejt përpjekjeve që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të perspektivës së tyre evropiane, një tjetër vend i rajonit tonë që është akoma kandidat për në BE nuk po lëviz në këtë drejtim, madje lëviz në drejtim të kundërt. I referohem këtu fqinjit tonë, Turqisë. Ajo vazhdon të shkelë çdo ditë kriteret themeltare të integrimit në BE, qoftë politike, qoftë ekonomike”.

“Kam theksuar gjithashtu edhe tek homologët e mi evropianë, ministrat e jashtëm, veprimet e fundit të cilat janë tepër shqetësuese në Mesdheun Lindor dhe theksova nevojën që të ndalojë eksporti i materialeve ushtarake përkundrejt Turqisë, sepse këto materiale ushtarake përdoren për veprime të cilat destabilizojnë zonën tonë”, tha më tej kryediplomati grek.

Dendias gjatë vizitës në Shqipëri është takuar edhe me presidentin e vendit, Ilir Meta dhe me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Ndërkohë, Shoqata “Çamëria” dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) kanë organizuar një protestë me rastin e vizitës në Shqipëri të Dendias, pasi sipas tyre vizita “nuk parashikon asnjë nga çështjet që shqetësojnë shqiptarët, por çon përpara axhendën greke”.