Shkoi në Itali për të organizuar puç për Ramën/ Prokuroria italiane vë në rreth Ilir Kullën, hetimi që çoi në pránga 8 persona

Një hetim disa vjeçar nga prokurorët italianë për shantazh, pastrim parash, kërcënime dhe biznese të dyshimta i ka ‘sjellë’ këta të fundit, në një nga zyrat më të rëndësishme të shtetit shqiptar; atë të Presidencës.

Nga shteti fqinj lajme jo të mira kanë mbërritur dhe në Shqipëri pasi në një dosje të prokurorisë së Romës përmendet emri i Ilir Kullës, Këshilltar i Presidentit Ilir Meta për Çështjet e Sigurisë, si i përfshirë në çështje jo të ligjshme.

Një lajm i publikuar rreth 3 vite më parë në një faqe italiane “Pianeta Italia News”, ku thuhej se 1400 kontenierë me mbetje të rrezikshme do të mbërrinin në Shqipëri për tu groposur është fake news, thekson prokuroria italiane. Në dosjen e përpiluar nga kjo e fundit, në pah del emri i Ilir Kullës si personi i cili porositi këtë lajm ‘si ndërhyrje për të rrëzuar qeverinë Rama’.

Mes tetë personave të árrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online “Pianeta Italia News”, që prodhoi lajmin e rremë. Mediat italiane kanë publikuar pamjet e momentit të árrestimit të tij.

“Gjatë hetimeve, u shfaqën një seri “elementesh me një aferë të lidhur me Shqipërinë dhe në një përpjekje të De Gregorio për të kontribuar në kushtëzimin e situatës politike të këtij vendi në mënyrë që të kishte përfitime të mëvonshme.

Zbulimi u bë për shkak të një kredie për De Gregorio, i cili do ta përdorte atë për të financuar veprimtaritë e Ilir Kullës. Ai është një personalitet i shquar politik në vendin e tij, një ekspert i sigurisë dhe analist gjeopolitik, në marrëdhënie të mira me Italinë për vite me rradhë. Nga burimet e hapura mësojmë se Kulla ishte një këshilltar politik i dy presidentëve: Meta dhe Mejdani dhe anëtar në Këshillin e Atlantikut.

Kulla i kishte dhënë një mandat De Gregorio për të organizuar, përmes njohurive të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë shtypi përçarëse për qeverinë shqiptare, çka do të bënte që ajo të binte”. Vetë Kulla “kishte mbërritur në Itali në 26 shkurt 2017 në mënyrë që të ndiqte nga afër ngjarjen”, thuhet në dosje./Faxweb.al