Shkodranët preferojnë qytetin e tyre për të kaluar festat, shkak edhe ekonomia…

Me afrimin e festave të fundvitit kanë nisur dhe prenotimet e para në hotele dhe restorante për personat të cilët kanë zgjedhur që këto festa t’i kalojnë në qytetin e Shkodrës. Ndryshe nga vitet e tjera, sipas operatorëve turistikë shumica e shkodranëve kanë zgjedhur që ti kalojnë festat pranë familjeve të tyre.

“Këtu në Shkodër, pranë familjes me ndonjë grup që mblidhemi”, tha një qytetar.

“Festat do t’i kalojmë në shtëpi”, u shpreh një tjetër.

Të pyetur nga Euronews Albania, qytetarët e pranojnë se zgjedhjet e tyre kushtëzohen dhe ndikohen nga gjendja ekonomike.

“Kur nuk ke buxhet nuk ke ku lëviz, të shkosh të festosh por në Shqipëri nuk është keq të kalosh festat, mendoj se është shumë bukur, bile unë kam qenë dhe jashtë në disa vende por që janë shumë shtrenjtë dhe në Shqipëri mundesh edhe më lirë të festosh shumë bukur dhe të kënaqësh me njerëzit tuaj me familje”, tha një qytetar.

Silvana Bushi, operatore turistike në qytetin e Shkodrës thotë se këtë fundvit, edhe për shkak të pandemisë, tendenca është drejt turizmit vendas .

“Deri vjet mund të them që kanë dashur të vizitojnë jashtë Shqipërisë festat e fundvitit por sivjet edhe për shkak të pandemisë të disa kufizimeve që ato kanë pasur jo vaksina apo teste të ndryshme ato janë të prirur që të vizitojnë edhe vetë qytetin e tyre, por që të vizitojnë edhe qytete të tjera”, tha Silvana Bushi.

Edhe në Shkodër kanë nisur rezervimet, por janë me ritme më të ulëta se në vitet e kaluara. Qytetarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë më të shumtë ndërsa shtetasit e huaj janë të pakët në krahasim me vitet e tjera.

“Qyteti më i preferuar për shkodranët është Korça dhe ngelet Korça”, thotë Silvana.