Shkatërrimi i hekurudhës, transporti i pasagjerëve me tren rënie me 96% në 15 vite…

Hekurudha, nëpërmjet të cilës bota e zhvilluar kryen një pjesë të konsiderueshme të transportit të pasagjerëve, në Shqipëri po shkon drejt rrënimit.

Në vitin 2020 udhëtuan me hekurudhë brenda vendit vetëm 18 mijë njerëz. Në vitin 2006 transportin hekurudhor e përdorën më shumë se 1.6 milionë njerëz. Sipas të dhënave të INSTAT numri i pasagjerëve që përdoren hekurudhën ra në me 96 për qind mes viteve 2006 dhe 2020.

Vëllimet e transportit me hekurudhë ranë ndjeshëm pas vitit 2010 dhe sidomos pas vitit 2014, ku linja Tiranë-Durrës që realizonte edhe volumin më të madh të punës për pasagjerët u bë jo funksionale.

Gjithashtu amortizimi i lartë dhe shpejtësia e ulët e trenave, lëvizjet e rralla dhe shkurtimi i destinacioneve e bënë hekurudhën shqiptare jo eficiente për udhëtarët. Ajo tashmë është një ndërmarrje me humbje dhe subvencionohet nga buxheti i shtetit.

Pas vitit 2014 stacioni qendror i trenit në Tiranë u zhvendos në Vorë, si rrjedhojë e investimeve në Bulevardin e Ri. Kështu, Linja Tiranë -Durrës humbi funksionin totalisht në pritje të një investimi të ri që do të modernizojë linjën nga Durrësi në Tiranë me një degëzim në Rinas.

Infrastruktura vjetër e Hekurudhës Shqiptare shtrihet drejt lindjes në Pogradec, jugut në Vlorë dhe veriut në Shkodër.

Terminali kryesor i vendit është në Durrës me linjat Durrës- Peqin, Shkozet-Tirane, Peqin-Elbasan, Vore-Laç, Rrogozhine-Fier, Elbasan-Librazhd, Librazhd-Përrenjas, Fier- Ballsh, Përrenjas-Gur te Kuq, Laç-Lezhe, Lezhe-Shkodër, Shkodër-Han i Hotit, Rrogozhine-Fier- Vlore dhe Milot-Rrëshen-Klos.

Shinat u shtrinë në vitet 1985 në Mal të Zi nëpërmjet kufirit të Hanit të Hotit, për transport mallrash. Sot ende nuk ka asnjë lidhje hekurudhore ndërkombëtare për pasagjerë në Shqipëri. Trenat janë në gjendje fizike jo të mirë. Rrjeti i HSH është i ndërtuar në të njëjtin sistem si në Evrope, në gjurmë normale dhe ka një gjatësi prej 447 km.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Transportit tregojnë se Hekurudha Shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtaresh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Këtë vit buxheti i shtetit akordoi për hekurudhën 2.7 miliardë lekë ose 17 milionë euro.