
SHBA ka përdorur sërish veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke bllokuar një rezolutë që kërkonte armëpushim të menjëhershëm e të përhershëm në Gaza dhe lehtësimin e ndihmave humanitare për civilët palestinezë.
Rezoluta u mbështet nga 14 prej 15 anëtarëve të Këshillit, por u rrëzua për shkak të vetos amerikane. Kjo shënon herën e gjashtë që Uashingtoni përdor veton që prej nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit, raporton Reuters.
Dokumenti parashikonte edhe lirimin e të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupet e tjera palestineze. Ndërkohë, zyrtarë të OKB-së paralajmërojnë se Gaza po përballet me uri të konfirmuar dhe situata humanitare po përkeqësohet nga dita në ditë.




