Sakrificat e mjekes nga Shkodra, rrëfen si e shpëtoi vogëlushin e “mohuar” nga i ati

Nga Anila Mollaj

Nëse ka ndonjë profesion që ka në thelb humanizmin, ai është mjeku. Por, kur bluzën e bardhë të doktorit e mban një nënë, humanizmi arrin në dimensione të pallogaritshme.

‘Gratë janë me 2-3 dimensione, mjekët janë me 4. Dimensoni i parë është të jesh grua,  i dyti të jesh nënë. Dimensioni i tretë është të jesh punonjëse, i katërti të jesh mjeke’, shprehet mjekja Dhurata Uruçi, me të cilën kisha lënë një takim në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Ajo tregon eksperiencat që ka kaluar me një qetësi të madhe sikur gjithçka bën është krejtësisht normale. Në fakt, shpëton jetë dhe vijon të shërbejë me kënaqësi për njerëzit që kanë nevojën e saj, ndonëse vitet kalojnë.

Doktoreshë, Dhurata Uruçi, shërben si mjeke neurologe, por prej dy vitesh ka dalë në pension. Megjithatë, mosha nuk e ka penguar që të vazhdojë detyrën e saj.

Gjatë shërbimit 35-vjeçar në mjekësi, ajo ka përjetuar histori nga më të ndryshmet, që kur i dëgjon të duket e vështirë ti besosh.

Njëra prej tyre lidhet drejtpërdrejtë me ndjenjën e mrekullueshme, atë të të qenurit nënë.

Mendoja se të jesh nënë është gjëja më e bukur në botë, por të jesh nënë dhe doktoreshë në të njëjtën kohë qenka mrekulli.

Këtë ma vërtetoi më së miri doktoresha që kisha përballë me një nga historitë, të cilën as koha nuk ka mundur ta venisë në kujtesën e saj.

Me lot në sy, edhe sot kur e tregon historinë, ajo më tha: ‘Sa kisha lindur vajzën, e kisha ende me gji, por dilja çdo ditë në punë. Kam punuar në Velipojë fillimisht dhe në atë kohë isha tek një familje që kishte 7 fëmijë.’

Bëhej fjalë për një djalë 2-vjeçar që ishte në gjendje të rëndë, me prindin e të cilit u habit shumë dhe nuk arrinte të besonte atë që i thoshte. Shëndeti i fëmijës ishte rënduar dhe duhet të shkonte me urgjencë në Spitalin e Shkodrës, por babai u tregua tepër indiferent, aq sa i tha: ‘Merre djalin, unë bëj prap sot një vit tjetrin’.

Në këtë moment, e bindur që të çonte deri në fund detyrën e saj si mjeke, Dhurata vendosi që ta merrte fëmijën nga familja dhe të bënte të pamundurën për ta shpëtuar.

Madje instikti i mëmësisë e ndihmoi shumë që të kuptonte nevojat e fëmijës së vogël që po luftonte me jetën.

Bëhet fjalë për vitet ’83. Ndala një makinë peshku, hypa mbrapa, fëmija qante dhe unë i jepja gji. Kur arritëm në spital, mjekja pediatre mendonte se kishte bronkopneumoni, por jo. I bëmë një grafi, kishte kaluar një kokërr misri. Ia hoqëm kokrrën dhe fëmija u bë shumë mirë. Sot ai fëmijë është rritur, ka shkuar në Itali dhe ka marrë gjithë familjen’, tregon Dhurata.

Por jo gjithçka ka qenë kaq e thjeshtë për mjeken. Sigurisht që ndihesh mirë kur shpëton jetë njerëzish, por si do ndiheshim nëse do të mbartnim në vetveten tonë peshën e fajit për humbjen e një jete?

Për Dhuratën, nuk ishte aspak e lehtë që të mësonte të shpëtonte jetë dhe të qëndronte pranë pacientëve deri në kufirin e ndarjes nga jeta.

Gjatë bisedës, ajo tregon një histori me një grua të moshuar që pësoi vdekje klinike dhe e cilëson si rastin ku mendonte se nuk do t’ia dilte dot.

‘Ishte një plakë 75 vjeçe. Erdhi një moment kur ajo dha vdekje klinike dhe unë dola jashtë. E kisha të vështirë të suportoja kufirin jetë-vdekje’, shprehet ajo.

Shpëtimin e jetës së saj e bëri falë ndërhyrjes së mjekëve profesionistë që e nxitën të hynte sërish brenda dhe të bënte të pamundurën që ta mbante gjallë.

Me krenari, Dhurata shprehet se u rikthye në sallë pas konsultës me një mjek profesionist dhe arriti ti shpëtonte jetën gruas së moshuar, e cila jetoi dhe 10 vite pas kësaj ngjarje.

Ajo nuk harroi kurrë që sa herë të shkonte në Kishë, të lutej për mjeken që e riktheu në jetë.

Por jo gjithçka është rastësi. Fakti që shërben ende në ditët e sotme është një dëshirë që i lindi që në fëmijëri. Fillimisht, donte të mësonte se si funksionon organizmi dhe lidhja me natyrën, pyetje që nuk ia gjeti dot përgjigjen gjatë shkollimit 12 vjeçar.

Falë mbështetjes së familjes, ku babain e kishte intelektual dhe nënën mësuese, Dhurata ia doli që të përfundonte studimet me sukses. Në vitin 1982, ajo u diplomua si mjeke e përgjithshme në Universitetin e Tiranës dhe më pas vijoi punë në Velipojë.

Pas pesë vitesh, kur u martua dhe u bë me fëmijë vendosi që të bënte një specializim për neurologji dhe këtë zgjedhje e bëri vetëm për inspirimin që kishte për trurin.

‘Truri është udhëheqësi i të gjitha aktiviteteve dhe përse të mos merremi me trurin’, tregon ajo.

Pasionin e saj për mjekësinë ia trashëgoi edhe fëmijëve. Djali është në gjurmët e saj dhe po studion për neurologji, ndërsa vajza merret me programet e qeverisë në Universitetin e Harvardit.

Ndonëse vitet kanë kaluar që prej asaj kohe, emocionet që ka ndjerë kur ka veshur për herë të parë përparësen e bardhë nuk do ti harrojë kurrë. Teksa buzëqesh dhe kthehet shumë kohë pas me kujtime, ajo thotë:

‘Jam ndjerë shumë mirë, por bluza e bardhë ka një kuptim tjetër, më të rëndësishëm. I quaj bluzat e bardha ose mjekët ‘ëngjëj’ sepse sillen rreth të sëmurit dhe mundohen ta largojnë të keqen sa më shumë’. 

Edhe pse shërbimi profesional i saj ka përfunduar, sot në moshën 62-vjeçare vazhdon të shërbejë në Spitalin e Shkodrës pasi ndihet e zonja për punë që të vijojë të shërojë njerëz, ndërkohë që thotë: ‘Mjekët janë si puna e verës që kur vjetërohet bëhet më e mirë. Unë dua që këtë eksperiencë që kam, derisa të kem fuqi do ta jap.’

Një grua e dashur, një nënë e përkushtuar që ka rritur dhe shkolluar dy fëmijë, një punonjëse dhe një mjeke e përulur përballë një gjëje kaq të shtrenjtë sa jeta e njeriut shprehet se:

‘Sot për sot ka korrupsion në mjekësi. Nuk duhet të ketë sepse jeta nuk mund të ketë çmim dhe cilido prej nesh nuk mund ti vendosë çmim.’