Sa është rritja e pagesës që merr çdo kategori?- Paketa sociale/ Nga pensionistët, ndihma ekonomike tek punonjësit e administratës…

Një sërë kategorish do të jetën përfitues të paketës së dytë të rezistencës sociale të bërë publike nga qeveria, e  cila është konceptuar ndryshe nga e para, duke u shtrirë në afatgjatë dhe duke targetuar më shumë individë. Por kush përfiton dhe në çfarë mase nga paketa e dytë antikrizë? SCAN TV ka llogaritur shtesën për secilën kategori, dhe konkretisht, përfitues do të jenë  rreth 674 mijë pensionistë, të cilëve do tu indeksohet pensioni me  +6%.

Me këtë masë indeksimi, e llogaritur në vlerë mesatare, pensionistët do të marrin një shtesë prej 741 lekësh mbi pensionin aktual.   Përfitues do të jenë edhe afro 64 mijë familje me ndihmë ekonomike dhe gratë kryefamiljare me dy fëmijë,  me një shtesë mesatare prej 921 lekë/muaj. Ndërkohë 90 mijë persona me aftësi të kufizuar do të marrin shtesë prej 522 lekë në muaj.

Qeveria ka vendosur të japë gjithashtu mbështetje  shtesë për energjinë elektrike për para-tetraplegjikët dhe të verbrit, ku përfitues janë 11,411 individë me një mesatare përfitimi prej 679 lekë/muaj/  Ndërkohë, kjo paketë përfshin edhe rritjen e pagave në sektorin publik për 41 mijë punonjës. Më konkretisht, 10.800 punonjës në policinë e shtetit do të marrin  shtesë prej 5,560 lekë/muaj; 3600 punonjës në Policinë e Burgjeve do të përfitojnë mbi pagën afro 10,548 Lekë/muaj dhe 20 mijë punonjës të tjerë të administratës do të marrin rritje page në 5,000 lekë/muaj.

Qeveria ka vendosur rritjen e pagës minimale në 34 mijë lekë nga 32 mijë lekë që është aktualisht, e përkthyer në një shtesë neto që nga fillimi i vitit prej 3500 lekësh për afro 200 mijë punonjës.  Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sektorit bujqësor, ku janë akorduar  500 mln lekë shtesë për naftën, për 34 mijë përfitues dhe 500 mln lekë për mbjelljen e grurit. Për sektorin e peshimit janë vendosur në dispozicion 200 mln Lekë për rimbursimin e TVSH-së së naftës për 200 përfitues.

Rritja e pagesave për kategoritë në nevojë

Kategoria                       Shtesa                        Nr. i përfituesve

Pensionistët                    +741 lekë/muaj           674.0000

Ndihma ekonomike         +921 lekë/muaj          64.000

PAK                                   +522 lekë/muaj          90 mijë

Rritja e pagave në sektorin publik

Kategoria                       Shtesa                        Nr. i përfituesve

Policia e Shtetit       +5,560 Lekë/Muaj           10,800 punonjës

Policia e Burgjeve   +10,548 Lekë/Muaj          3,600 punonjës

Administratë:            +5,000 Lekë/Muaj          20 mijë punonjës

Mbështetja për bujqësinë dhe peshkimin

Kategoria                       Shtesa                        Nr. i përfituesve

Nafta në bujqësi     +500 mln lekë          34.000

Kultivimi i grurit    +500 mln lekë

Elisabeta Dosku / SCAN