
Punimet në aksin rrugor Shirokë–Zogaj, një ndër investimet kryesore për zhvillimin rajonal të Shkodrës, po avancojnë me ritme të shpejta. Kompania ndërtuese është duke punuar paralelisht në dy drejtime: By-Pass-in e Zogajve dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese, ku vetëm rreth 200 metra mbeten pa u lidhur me Shirokën.
Megjithatë, në disa segmente ndërhyrjet janë pezulluar përkohësisht për shkak të çështjes së shpronësimeve. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, pritet që punimet të vijojnë.
Vizitorë nga Kosova e kanë cilësuar këtë investim si shumë të rëndësishëm për rajonin dhe për nxitjen e turizmit. Liqeni i Shkodrës, Shiroka dhe Zogaj mbeten destinacione të kërkuara, ndërsa fluksi i turistëve të huaj është ndjerë që në fillim të sezonit.




