
Zonat e mbrojtura në qarkun e Shkodrës edhe gjatë këtij viti kanë tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.
Sipas të dhënave të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, nga janari deri në fund të shtatorit, këto zona janë vizituar nga mbi 1 milion e 160 mijë turistë, duke shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm në parkun kombëtar të Alpeve, me qendër në Theth, janë regjistruar afro 400 mijë turistë, ndërsa fluksi i vizitave vazhdon edhe pas përfundimit të sezonit veror, sidomos gjatë fundjavave.
“Turizmi nga janari deri në fund të shtatorit ka qenë i kënaqshëm. Kemi diku 1 milionë e 163 mijë vizitorë e turistë në zonën e mbrojtur. Krahasuar me vitin që shkoi kemi një rritje diku te 4-5% të pranisë së turistëve. Thethi zë vendin e parë, fluksi gjatë gjithë vitit thuajse nuk pushon”, deklaroi Tonin Macaj, Përgjegjës i Shërbimit të Menaxhimit, ADZM Shkodër.
Ndërkohë, zona e Kelmendit, në Malësinë e Madhe, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve ka rezultuar këtë vit më pak e frekuentuar. Sipas drejtuesve të ADZM, kjo lidhet kryesisht me uljen e numrit të operatorëve turistikë që ofrojnë shërbime në këtë zonë.
“Sa i përket pjesës së Kelmendit, për arsye të emigrimit që është një plagë në këtë zonë,. Ka një rënie, një prezencë më të ulët të turistëve. Numri i strukturave pritëse është më i vogël”, shtoi Macaj.
Me sipërfaqen e gjerë të zonave të mbrojtura dhe pasuritë e shumta natyrore e kulturore, qarku Shkodër mbetet një nga potencialet më të rëndësishme të vendit për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë natyrore e historike./RTSH




