Rënia e natalitetit, Tërnava: Çifteve me katër ose më shumë fëmijë duhet t’u dhurohet nga një banesë…

Shpërndaje

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, është shprehur i shqetësuar për rënien e natalitetit në Kosovë.

Në adresimin e tij, në ceremoninë e faljes së namazit të Kurban Bajramit, ai ka kërkuar reagimin e shtetit në këtë drejtim.

“Në këto kushte, rënia e natalitetit është një alarm kombëtar. Shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështesë familjet me politika pro natalitetit siç janë punësimi i të dy prindërve, lehtësimet ekonomike, mbështetja për nënat shtatzëna, kujdesi për fëmijë e të tjera,” ka deklaruar ai.

Kryetari i BIK-ut ka shprehur një kërkesë direkte për Qeverinë e Kosovës.

“Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë. Çdo çifti që ka katër a më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që t’u dhurojë të gjithëve nga një banesë falas. Kjo nuk është thjesht vetëm nevojë ekonomike për këto familje, por është edhe përgjegjësi morale, fetare dhe kombëtare,” është shprehur Tërnava.

Shpërndaje