Raporti sekret i qeverisë turke, Yaci pranon se kanë paralajmëruar Shqipërinë për marrëveshjen detare

Nënshkrimi i marrëveshjes për kufijtë detarë mes Italisë dhe Greqisë ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik turk, të cilët e konsiderojnë këtë marrëveshje si dorëzim të Greqisë.

Xhihaid Yajci, ish-komandant i Flotës Detare turke, i dorëhequr para pak javësh, e konsideron një marrëveshje të tillë si pranim nga ana e Greqisë se nuk ka të drejtë të kontrollojë ishujt në mënyrë të pavarur. Admirali, në fjalën e tij, sjell ndërmend edhe marrëveshjen për kufijtë detarë të Shqipërisë me Greqinë, e nënshkruar në 2009 dhe e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese në 2010. 

Yayci, u shpreh se qeveria turke i dërgoi një raport qeverisë shqiptare ku i paralajmëronte ata për rrezikun e kësaj marrëveshjeje dhe mashtrimin e iniciuar nga qeveria e vendet fqinje. “Ne përgatitëm një raport shumë konfidencial, disa muaj para nënshkrimit të asaj marrëveshjeje! Ja dërguam atë palës shqiptare, duke i paralajmëruar se grekët po i mashtronin!”

Me anë të kësaj deklarate, ai pranoi në mënyrë indirekte se raporti sekret i dorëzuar në vitin 2009, ka ndikuar në ndryshimin  e mendimit të qeverisë shqiptare dhe ka çuar në prishjen përfundimtare të kësaj marrëveshjeje. Në anën tjetër, Yayci kërkon reagimin e qeverisë shqiptare dhe asaj libiane, pasi sipas tij marrëveshja italo-greke cenon kufijtë dhe të drejtat ndërkombëtare të dy shteteve.

“Tani duhet marrë një hap shumë konkret nga Turqia. Nëse nuk ndërmerret, Greqia do të fitojë më shumë zona detare”

Sipas Yayci, Libia dhe Shqipëria duhet të apelojnë kundër kësaj marrëveshjeje dhe qeveria turke ka  për detyrë t’i bëjë ata të reagojnë.