Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do takohen në 25 shtator në Shkodër, ja marrëveshjet që do miratohen

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të takohen më 25 shtator në Shkodër, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme.

Lajmin e ka bërë me dije zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, e cila është edhe koordinatore për këtë takim.

Gjatë mbledhjes së qeverisë së Kosovës, ajo tha se shumica e draft-marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve kanë përfunduar.

“I kërkoj mirëkuptim ministrave tanë nëse ndonjë draft-marrëveshje nuk do të kalojë për marrëveshje atje, për shkak të procedurave ligjore që i kanë pala shqiptare. Por besoj që deri më tash shumica e tyre kanë përfunduar, por një finalizim do të bëhet nesër”, tha Albulena Balaj-Halimaj.

Në këtë mbledhje të radhës, mësohet se disa nga marrëveshjet mes dy vendeve janë dogana e Kosovës në Durrës, hidrocentrali në territorin shqiptar dhe linja hekurudhore.

Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.

Mbledhja e parë u mbaj në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama e cilësuan takimin si historik.