Qeveria përshkallëzon masat kundër koronavirusit: Të mbyllen të gjitha lokalet dhe restorantet

Masat kundër koronavirusit janë përshkallëzuar nga ana e qeverisë.

Në një dalje për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i ka propozuar qeverisë disa masa më ekstreme, ku përfshijnë mbylljen e të gjitha lokaleve dhe restoranteve.

Masat e prezantuara nga Ogerta Manastirliu

1. Mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht.
2. Caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës.
3. Caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij.
4. Vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik.
5. Reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës! Sa me siper, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për veten tuaj, për familjet tuaja dhe për familjet e punonjësve tuaj.
6-Kam vendosur që unë vetë komunikimet e përditshme të jenë në formë virtuale. Ne do të jemi të gatshëm të marrim pyetjet dhe tu përgjigjemi të gjitha pyetjeve.

Ministrja Manastirliu deklaroi se kjo nuk është një kohë për të sfiduar armikun me papërgjegjshmëri, por për t’u mbrojtur prej tij me përgjegjësi prindërore, familjare dhe në fund ligjore.
Ministrja Manastirliu komunikoi gjithashtu, se, që nga nesër konferencat për shtyp për informimin e publikut do të jenë në formë virtuale për të shmangur mbipopullimin me gazetarë dhe kameramanë që nuk është aspak i rekomandueshëm në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së COVID-19.