Presidenti Meta: Shqipëria po tkurret dhe po plaket me ritme thellësisht dramatike, si asnjë shtet tjetër në Europë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar lidhur me një studim të revistës ndërkombëtare ‘’The Economist’’ që parashikon variantin pesimist se Shqipëria në 2100 mund të ketë vetëm 860 mijë banorë.

Referuar këtij studimi, Presidenti Meta, në një postim në Facebook, bën thirrje që të rikthehet shpresa dhe besimi se Shqipëria ka diell për të gjithë dhe shqiponjat duhet të kthehen në folenë e tyre.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

Shqipëria po tkurret dhe po plaket me ritme thellësisht dramatike, si asnjë shtet tjetër në Europë.

Në studimin e publikuar së fundmi nga “The Economist”, varianti pesimist parashikon që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.

Shpejtësia e plakjes është gjithashtu tronditëse: mosha mesatare sivjet është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç.
Trishtim më të madh nuk mund të ketë!

Një vend i bekuar nga Zoti me bukuri të jashtëzakonshme dhe pasuri natyrore që jo shumë vende në botë i kanë, po braktiset gjithmonë e më shumë.

Edhe pse qeveritë në planin afatshkurtër mund të përfitojnë nga emigrimi pasi kështu ulen fiktivisht treguesit e papunësisë apo mund të rriten të ardhurat nga remitancat, në perspektivë mosadresimi i menjëhershëm dhe në mënyrë agresive i këtij fenomeni do të kishte pasoja katastrofike sidomos për një vend si i yni.

Koha është tani për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria🇦🇱 ka Diell☀️ për të gjithë dhe jo vetëm për disa.
Koha që shqiponjat të kthehen në folenë e tyre! 🇦🇱