Presidenti Meta mesazh të qartë palëve, kërkon hapjen e plotë të listave zgjedhore

Pas dorëzimit të draftit për hapjen e listave në Këshillin Politik nga Partia Socialiste, ka reaguar Presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të vendosë hapjen 100 % të listave në zgjedhjet e 25 prillit.

“Hapini listat për qytetarët që të zgjedhin pas 12 vjetësh më në fund deputetët. Hapini 100 për qind! Mjaft e degraduat Kuvendin kështu, se edhe një asamble kooperative ka qenë dikur shumë më e përgjegjshme. Shqipëria ka patur parlamentarizëm të shkëlqyer 100 vite më parë o shakaxhinjtë e “integrimit”, shkroi Meta në faqen zyrtare në “Facebook”.

Mbledhja e fundit e Këshillit Politik nuk prodhoi rezultat për shkak të debateve mes palëve për marrjen ose jo të ekspertizës së OSBE/ODIHR për çështjet që palët nuk gjejnë dakordësi.

Përfaqësuesit e opozitës nuk pranuan të diskutojnë mbi draftin e socialistëve, pa marrë fillimisht përgjigje mbi kërkesën e tyre, të cilat i depozituan edhe të shkruara në këshill, për t’ju drejtuar për mendim OSBE/ODIHR-it.

Por, këtë maxhoranca e cilëson krizë artificiale. Sipas Gjiknurit opozita duhet të sjellë fillimisht të draftuara sugjerimet e saj për çështjet që nuk është dakord, dhe më pas t’i drejtohen ODIHR-it për mendim.