“Polic ke qenë e polic do të mbetesh”, reagimi i Lleshajt ndaj Murrizit nxit debat, Anila Hoxha: E rëndë, sindikata të reagonte më ashpër

“Polic ke qenë dhe polic do të mbetesh”, ky është reagimi i ministrit Sandër Lleshaj ndaj deputetit Myslim Murrizi në parlament që shkaktoi shumë reagime.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” ka folur në lidhje me deklaratën e fortë të tij.

Ditë më parë Hoxha në lidhje me këtë çështje ka bërë një postim në profilin e saj social, ku shtron me pika kushtet e këqija me të cilat përballen çdo ditë policët.

Ajo shprehet se figura e policit nuk lartësohet, por cenohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Gazetarja thotë se reagimi i Sindikatës së Policisë duhej të ishte më i ashpër dhe të kishte një deklaratë zyrtare.

“Deklaratë e pavend, rrjedhojë e qëndrimeve në kohë të ndryshme të marrëdhënies së policit dhe ministrit të Brendshëm. Në kohë të ndryshme ka pasur qëndrime që nuk janë policdashëse. Policët janë përdorur për ngarkim-shkarkim të objekteve. Policia përdor një kartë shumë të fortë që është besimi tek publiku. Ka një raport që policia ta ketë për të fituar besimin nga qytetari. E thënë nga ministri i Brendshëm është e rëndë, se kur flet nga një foltore parlamenti me atë zhargon e cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë figurën e policit, e hedh poshtë të gjithë punën, ndërkohë që duhet të jetë krejt e kundërta. Figura e policit nuk lartësohet, sindikata duhej të reagonte më ashpër. Duhej të kishte një deklaratë apo qëndrim zyrtar. Para pak kohësh unë kam pasur një ndër agjentët më të mirë për sa i përket një nisme, ku 55-vjeçarët duhej të largoheshin nga policia, që është një diskriminim, shkelje e hapur.  Ka pasur një reagim të madh se si oficerët thyen akullin dhe shfaqën opinionin e tyre. Duhej të kishte një deklaratë publike nga sindikata. Janë gazetarët që po kërkojnë të drejtën e tyre, ndërsa duhej të ndodhte e kundërta, ku sindikata duhet të na kërkonte ne”, thotë Hoxha.

Top Channel