Pesha e votës preferenciale për kandidatin, Blendi Çeka shpjegon kur dhe si i merret mandati listës së partisë

Eksperti i zgjedhjeve Blendi Çeka shpjegoi në “Barometrin Politik” në Euronews Albania si reflektohet vota preferenciale sipas sistemit të ri zgjedhor në mandatin e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Z.Çeka mori si shembull listën e Tiranës, nga e cila pritet të dalin 36 deputetë, por ndërkohë me sistemin e ri qytetarët ftohen të votojnë krahas partisë edhe një nga 36 kandidatët e tyre.

Ai tregoi se që njëri nga kandidatët e listës që ka marrë më shumë preferenca nga votuesit të zhvendosë njërin nga kandidatët e pjesës fituese të listës së partisë duhet të marrë më shumë vota se sa nevojiten për të siguruar një mandat deputeti si parti.

“Nëse je i 25-ti dhe do të nxjerrësh nga lista të 18-in që ka marrë më pak preferenca, për ta zhvendosur atë nga lista, duhet të marrësh 10-11 mijë vota,” – tha Çeka.

Eksperti i zgjedhjeve vijoi duke shpjeguar se pasi mbaron numërimi, duke supozuar se një parti ka marrë 18 nga 36 mandate të mundshme, 18-të të parët e listës së partisë ri-renditen në bazë të preferencave.

Në rast se një kandidat jashtë listës së propozuar nga partia, merr më shumë preferenca se sa mesatarja e përgjithshme që i është dashur partisë të nxjerrë një mandat (rreth 10 mijë vota), atëherë ai ka mundësi të zhvendosë nga lista fituese kandidatin e ri-renditurin më poshtë.

Por për shkak të kuotës së përcaktuar gjinore, nëse i rendituri i fundit në listën e partisë është kandidate femër, atëherë kandidati me më shumë vota preferenciale nxjerr nga lista fituese kandidatin më sipër – fjala bie të 17-in.

“Probabiliteti që të gjithë kandidatët e listës fituese të kenë mbi 10 mijë vota preferenciale, është pothuajse zero dhe këtu fillon i gjithë interpretimi i fushatës,” – u shpreh Çeka.

Megjithatë eksperti i zgjedhjeve tha se do të jetë shumë e vështirë që të ndodhin raste ku kandidatë jashtë listave kryesore të partisë t’u marrin mandatet të preferuarve kryesorë.

“Është shumë e vështirë të ndryshohet renditja, kam përshtypjen që në 95% të rasteve nuk ka për të ndryshuar dot, sepse do të duhen dy situata, ose do të duhet të jenë persona lokalë me shumë influencë, ose do të ketë ndonjë teatraliteti që mund të bëjnë partitë ku mund të vendosin ndonjë drejtues qarku në fund,” – tha Çeka duke shtuar se kandidatët në listë nuk janë të barabartë.