Përfundon seanca në SPAK ndaj Ardian Hajdarit/ Ish anëtari i KPA kërkon tërheqjen e gjyqtares…

Ka përfunduar sot në SPAK seanca ndaj Ardian Hajdarit pasi akuzohet se kishte gënjyer në aplikimin për t’u zgjedhur anëtar i KPA-së përmes falsifikimit të dokumenteve.

Vizion Plus mëson se ai u paraqit pa avokat, teksa i kërkoi gjyqtares Atalanta Zeqirit të tërhiqej, me pretendimin se ka miqësi me Antoneta Sevdarin, ish prokuroren që e ka kallëzuar në SPAK.

Hajdari paraqiti edhe dy fotografi të Sevdarit me Zeqirin, teksa kjo e fundit ndërpreu seancën derisa Hajdari të dorëzojë kërkesën me shkrim për përjashtim duke shtuar se do të mbante edhe vetë një qëndrim.

“E nderuar zonja gjyqtare, pa dashur të paragjykoj funksionin tuaj dhe personin tuaj, mbrëmë duke naviguar në internet, mu shfaqen fotot tuaja me kallëzuesen time, Antoneta Sevdari, ku duken marrëdhëniet tuaj më shumë se njerëzore, një afeksion mes jush miqësor, që për mua përsëris,pa dashur të paragjykoj, ngjall frikë për procesin e padrejtë dhe në limitet e ligjshmërisë ndaj meje. Nuk kisha kohë ta bëja me shkrim kërkesën, për përjashtimin tuaj, por dua që kjo seancë të ndërpritet. Në fakt që kur kam parë fotot në kohën kur ju u rikonfirmuat në detyrë, kam menduar se do ishit ju që duhet të ishit dorëhequr nga çështja, por megjithatë, më lini kohë ta parashtroj kërkesën time me shkrim”, tha Hajdari.