Përfundon fotovoltaiku mbi digë në Vaun e Dejës, KESH aplikon për licencë prodhimi…

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) aplikoi së fundmi në Entin Rregullator të Energjisë (ERE) për t’u licencuar në prodhim energjie nga centrali fotovoltaik i instaluar në digën e Qyrsaqit në hidrocentralit e Vaut të Dejës, i cili ka një kapacitet të instaluar prej 5143 MW. Projekti tashmë i përfunduar është lidhur në sistemin e unifikuar të kaskadës së Drinit dhe do të funksionojë sipas parimit të menaxhimit më të mirë të rezervës hidrike. ERE pritet të nisë procedurën e licencimit këtë javë sipas kalendarit të vendimeve që do të merren në analizë në mbledhjen e Bordit që zhvillohet këtë të enjte.

Projekti i centralit fotovoltaik me kapacitet 5.1 MW është i vendosur në digën e Qyrasqit në hidrocentralin e Vaut të Dejës i treti në kaskadën e Drinit që menaxhohet nga KESH.

Paralelisht Korporata po zhvillon edhe një tjetër projekt fotovoltaik ku bëhet fjalë për një impiant lundrues vendosur mbi liqen i cili financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Referuar dokumenteve, impianti fotovoltaik lundrues do të ketë një fuqi të instaluar prej 12.9MW ndërkohë që vlerësohet si një mundësi e mirë për të diversifikuar burimet e energjisë në vend por edhe për të optimizuar më mirë prodhimin në kaskadën e Drinit.

Në total projekti ka një kosto të parashikuar prej 13.9 milionë euro por që një pjesë e tij do të përballohet nga fondet e vetë Korporatës.

Gjatë fazës së aplikimit për mbështetje KESH argumentonte se impianti i dytë që do të vendoset në kaskadën e Drinit është më i madhi lundrues në rajon dhe synon të të promovojë përdorimin e mëtejshëm të teknologjisë lundruese PV për të rritur kapacitetin diellor të rajonit përmes përdorimit efikas të rezervuarët hidro.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk është e vetmja që po zbaton projekte të impianteve fotovoltaike lundruese. Më herët ishte edhe Devoll Hydropower me një impiant mbi liqenin e Banjës e cila bazohet ne një teknologji tërësisht të re./N.Maho/Monitor/