Parlamenti turk voton pro anëtarsimit të Finlandës në NATO…

Finlanda do të bëhet anëtarja më e re e NATO-s, pasi Parlamenti i Turqisë, ka votuar për të ratifikuar anëtarësimin e saj në aleancën veri-atlantike.

Turqia e ka vonuar këtë ratifikim që disa muaj – duke u ankuar se ky shtet nordik është duke mbështetur “terroristët”. Suedia, e cila ka aplikuar bashkë me Finlandën për anëtarësim në NATO, ende është duke u bllokuar nga Ankaraja, për ankesa të njëjta. Por këtë radhë parlamenti i Turqisë votoi në mënyrë unanime pro anëtarësimit të Finlandës në NATO.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka dhënë miratimin e tij për anëtarësimin e Finlandës në NATO, më herët gjatë muajit mars, duke thënë se ky shtet ka bërë “hapa konkretë” për sigurinë e Turqisë.

Mirëpo armiqësia e tij e vazhdueshme me Suedinë ka qenë e qartë, pasi ai e akuzon këtë shtet për strehim të militantëve kurdë, dhe që u jep mundësi atyre të protestojnë në rrugët e Stokholmit. Vendimi i Ankarasë për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë, hap rrugën për një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e NATO-s.

Tashmë të 30 vendet e Aleancës kanë ratifikuar kërkesën e Finlandës për t’u anëtarësuar. Hungaria e kishte dhënë miratimin për Finlandën të hënën dhe pritej vetëm ratifikimi nga ana Turqisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit që kërkon pranim unanim nga ana e anëtarëve aktualë të NATO-s.

Kështu Finlanda bëhet vendi i 31-të që do të bëhet anëtar i Aleancës më të madhe ushtarake në botë.Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesën për anëtarësim në aleancën ushtarake pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës vitin e kaluar. Kërkesa e tyre për anëtarësim u ratifikuan në një samit të aleancës në Korrik të vitit të kaluar. Në këtë hark kohor, vendet anëtare të NATO-s kanë kaluar procesin për të dhënë miratimin përfundimtar për Finlandën dhe Suedinë.