Operacioni “Thethi”, policia e Shkodres arreston dy persona, dy të tjerë në kerkim për 8 kg kanabis…

Shkodër/ Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Thethi”. Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë. Sekuestrohen 8 kg lëndë narkotike kanabis.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në bazë të provave të grumbulluara gjatë hetimeve disamujore, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Thethi “, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

T. K. 39 vjeç, banues në fshatin Theth dhe A. T. 23 vjeç, banues në fshatin Abat, Shkodër.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit GJ. L. dhe M. D.

Nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore të kryera në një periudhë kohore disamujore në funksion dhe të procedimit penal të regjistruar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, për këta shtetas, u arrit goditja finale e këtij grupi kriminal dhe dokumentimi i aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit te bimëve narkotike, që e ushtronin në qytet Shkodër, Malësi të Madhe dhe Theth.

Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë në fshatin Reç, duke transportuar lëndë narkotike dhe në momentin që është ndërhyrë nga punonjësit e policisë,  mjeti tip “Renault” me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjer shtetasi T. K. ka tentuar të largohet më shpejtësi, por është ndaluar në ndjekje e sipër nga shërbimet e Policisë.

Pas ndalimit të mjetit dhe kontrollit të ushtruar në pjesën e pasme janë konstatuar dy çanta dhe një qese plastike me 8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 2 aparate celular.

Nga veprimet hetimore rezulton se në këtë veprimtari janë të implikuar edhe shtetasit GJ. L. dhe M. D., të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon intensivisht puna për kapjen e tyre.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat  penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivim i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.