Nxehet fushata në Shkodër, PS reagon ndaj deklaratave të LSI…

Lëvizja Socialiste Për Integrim përmes një deklarate për shtyp ka ngritur pretendime që ndaj administratës publike në Shkodër po ushtrohet presion nga nivelet drejtuese, deri në ato më të ulëta, për efekte elektorale ne prag të zgjedhjeve të 25 Prillit për Kuvendin e Shqipërisë.
LSI ngatërron dhe identifikon Partinë Socialiste me SHPK-në e familjes Meta-Kryemadhi, duke i veshur veprime dhe metoda që publikisht dihet që janë përdorur dhe përdoren nga vetë ata. Të gjithë shkodranët e kanë të freskët në kujtesën e tyre se si sillej dhe vepronte LSI me punonjësit e administratës, veçanërisht në institucionet që përfaqësuesit e tyre kanë drejtuar. Familjarët e punonjëseve dhe specialistëve në këto institucione ende sot kujtojnë me po aq indinjatë dhe neveri gjobat dhe zarfet që duhej të dorëzonin në arkën e partisë që i kishte punësuar. Edhe ata që drejtuesit e LSI i kishin gjetur por që duhej të paguanin haraç për të shmangur presionet dhe mbajtur vendin e punës.
Shkodranët demokratë e socialistë po ashtu kujtojnë se si rregullisht drejtuesit e LSI thirreshin në mes të qytetit për të dorëzuar përqindjen e të ardhurave që siguroheshin në format më abuzive dhe korruptive në kurriz të qytetarëve, që për çdo shërbim duhej të paguanin nën dorë, sepse SHPK-ja Meta-Kryemadhi donte kuotën.
Qytetarët nuk harrojnë zonja Kryemadhi. Shqiptarët dhe shkodranët nuk janë naivë dhe nuk gënjehen më. Ata dijnë të bëjnë ndryshimin mes një force politike reale sikurse është Partia Socialiste dhe një shoqërie aksionere siç është Lëvizja Socialiste për Integrim ku familja Meta-Kryemadhi është mbi Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Administrata sot e çdo ditë është dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve pa dallime partiake dhe në respekt të plotë të ligjit. Në radhët e kësaj administrate ka plot që mbështesin edhe forca të tjera politike përfshi dhe LSI-në, si në ASHK, në mjedis, arsim, shëndetësi etj por bëjnë të pashqetësuar nga askush punën e tyre si specialistë, sepse mes Partisë Socialiste dhe LSI-së ka ndryshime të dukshme si në parime ashtu dhe mendësi.
Ne ftojmë lirisht Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe çdo forcë politike të denoncojnë me fakte çdo abuzim nga persona konkretë në institucionet shtetërore që mund të përfitojnë nga pozicioni i tyre i punës për të bërë fushatë gjatë orarit zyrtar. Çdokush që shpërdoron detyrën do përballet me instancat përkatëse, sepse ne kemi treguar që kemi kurajon për të ndëshkuar këdo që vepron mbi ligjin, në dëm të qytetarëve dhe institucioneve të këtij vendi.