Nuk e “gëzoi” mandatin si kryebashkiak i Shkodrës, PS i beson Valdrin Pjetrit drejtimin e shtabit elektoral në Elbasan

Partia Socialiste rikthen në fushatën elektorale Valdrin Pjetrin, duke e caktuar si drejtuesi teknik të shtabit elektoral të këtij qarku për zgjedhjet e 25 prillit.

Lajmin e ka njoftuar me anë të një postimi në facebook dega e PS-së në Peqin.

“Takim organizativ me strukturat e të deleguarve të rrethit, Sekretariatin dhe Shtabin Elektoral!Me prezencen e drejtuesit teknik te shtabit elektoral te qarkut Valdrin Pjetri. Për të mirën e përgjithshme të vendit, duke mos i lënë vend asgjë rastësisë, të vendosur drejt mandatit të 3”.

Në dhjetor të vitit të shkuar gjykata rrëzoi akuzat për Valdrin Pjetrin, kandidatin fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Shkodrës në 2019 duke e shpallur të pafajshëm.

Ishte Partia Demokratike ajo që akuzoi ne vitin 2019 kryebashkiakun e sapozgjedhur të Shkodrës së ishte i dënuar në shtetin italian për trafik droge dhe nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit duke shkelur ligjin.

Pas akuzave të opozitës Vladrin Pjetri nuk u betua si kryebashkiak duke u shprehur se ishte i gatshëm të hetohej. Nga tërheqja e Pjetrit vendi iu la Voltana Ademit, e cila po drejton ende Shkodrën përtej mandatit.

Sipas prokurorisë, Pjetri nuk mund të deklaronte dënimin nga drejtësia Italiane për shkak të specifikimit në vendimin e Gjykatës së Firences.