Nga nesër mbyllet “Shqiponja”, si devijon trafiku për 4 muajt në vijim…

Duke filluar nga dita e hënë, drejtuesit e automjeteve që përdorin ish-sheshin “Shqiponja” për të hyrë ose për të dalë nga Tirana do të duhet të ndjekin një tjetër rrugë.

Trafiku do të devijohet për shkak të punimeve në këtë zonë në kuadër të projektit të Unazës së Madhe.

Sipas udhëzimeve të drejtorit të planifikimit strategjik në ARRSH, Erald Elezi, ata që do të duan të hyjnë në Tiranë nga drejtimi i Durrësit do detyrohen që të kthehen djathtas drejt rrugës “Teodor Keko”. Për të aksesuar Tiranën, mundësia e parë për t’u futur në qytet do të jetë rruga “Abedin Rexho” që ne e njohim si Fusha e Aviacionit. Nëpërmjet një semafori do të rregullohet kalimi dhe rruga “Abedin Rexho” do të shndërrohet në rrugë me një sens kalimi. Pastaj nëpërmjet rrugëve sekondare të qytetit do të shkojmë drejt rrugës “Dritan Hoxha” për të shkuar drejt Tiranës.

Sa i përket daljes nga Tirana, devijimi i trafikut për përdoruesit e mjeteve që vijnë nga rruga “Dritan Hoxha” do të fillojë me një ngushtim korsish, më pas drejt devijimit të një rruge të zënë që do të zhbllokohet dhe të bëhet e kalueshme. Më pas duke përshkruar një gjysmë rrethi do shkohet drejt Durrësit. Bashkë me këtë linjë trafiku do të bashkohet edhe linja e trafikut që na vjen nga Astiri.

Për ata që na vijnë nga Jugu i vendit rekomandohet përdorimi i rrugës nga Rrogozhina, në Peqin, Papës, Bradashesh dhe të aksesojnë qytetin e Tiranës nëpërmjet rrugës së Elbasanit.

Për qytetarët që vijnë nga veriu i vendit rekomandohet përdorimin i rrugës nga Instituti drejt Paskuqanit për t’u futur në Tiranë ose për ata që do të zgjedhin të afrohen më shumë të shkojnë drejt rrugës së Shinave të Trenit për të arritur në rrugën “Vangjel Noti” dhe më pas në rrugën “Gjergj Legisi” e cila do të shndërrohet me një sens kalimi për të përballuar sa më shumë mjete që do shkojnë drejt “Don Boskos” për t’u futur në Tiranë.

Devijimi i trafikut në këtë mënyrë pritet të zgjasë tre deri në katër muaj.