Nën Shkodra nën ujë, Ademi: Situata u përkeqësua sërish…

Në një intervistë për Ora News, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, tregoi situatën në zonën që ka në varësi të saj, pas reshjeve të rënduara të shiut të ditëve të fundit.

Gjatë fjalës së saj, ajo tha se ka një përsëritje të situatës së përmbytjeve rreth të 11 ditëve më parë, ku zona e Nën Shkodrës iu nënshtrua fuqisë së natyrës.

Ademi theksoi se një prej ujësjellësve është jashtë funksionit për shkak të reshjeve, ndërsa ndër problematikat më të mëdha nënvizoi sigurimin e ushqimit për kafshët e fermave të përmbytura.

“Kemi një situatë të përkeqësuar, njësoj si pesë ditë më parë. Ndodhemi në një situatë siç ishim, para 11 ditëve, në zonën e Nën Shkodrës. Kemi një rritje të sipërfaqes, përsëri shkojmë 1550 hektarë tokë të mbjellë në territorit anës malit të Oblikës, Trushi gjithashtu është i përmbytur. Në qytetin e Shkodrës nuk kemi probleme fatmirësisht, gjë që tregon se e kemi menaxhuar zonën urbane shumë mirë. Por sigurisht për shkak të prurjeve dhe të shkarkimeve në hidrocentral vazhdon të jetë e përmbytur fushat e Nën Shkodrës, si edhe një nga rrugët që lidh fshatin Obot me rrugën nacionale, vazhdon të jetë e bllokuar nga uji. Kemi jashtë funksionit një ujësjellës, sepse nuk mund të punojë në kushtet e prezencës së ujit, tek stacioni i pompimit. Nga ana tjetër, vijojmë të kemi një situatë të përkeqësuar në rritjen e kuotave dje dhe sot. Bëhet fjalë për rreth 60 centimetra rritje, referuar hidrometrit. Ndërkohë edhe Liqeni i Shkodrës ka një rritje të kuotës, në 24 orët e fundit. Deri në këto momente nuk ka asgjë shqetësuese, por kjo do të varet në vazhdimësi në ditët pasuese. Një nga shqetësimet më të mëdha që kemi me gjënë e gjallë, ushqimin e nevojshëm që do të duhet për të gjithë ata fermerë që kanë vështirësi në sigurimin e ushqimit për gjënë e gjallë”, tha Ademi.