“Nata e Kadrit”, Presidenti Meta vizitë në Shkodër: Besimi më i mirë është tek durimi dhe zemërgjerësia

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zgjedhur Shkodrën për të vizituar në këtë natë të madhe për besimtarët myslimanë, Nata e Kadrit.

Meta tha se Shkodra është simboli i harmonisë dhe i bashkëjetesës por edhe i qëndresës dhe durimit dhe se besimi më i mirë është tek durimi dhe zemërgjerësia.

“Dua të falënderoj myftiun e Shkodrës për këtë mikpritje por edhe për gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur në vijimësi.

Zgjodha vetë që në këtë natë të bekuar të Kadrit të isha pikërisht këtu në Shkodër pasi Shkodra është në zemrën e çdo shqiptari të ndershëm dhe patriot, simboli i besimit, besimit në Zot por i besimit në vlerat më të mira atdhetare dhe të familjes.

Është simboli i harmonisë dhe i bashkëjetesës por edhe i qëndresës dhe durimit. Vizituam xhaminë e Parrucës e cila është ribërë dy herë, u shkatërrua në ‘67 në periudhën më të errët të komunizmit po u rindërtua në periudhën e demokracisë.

Dua të uroj Gëzuar këtë natë të bekuar të paqes së madhe dhe sot na kujton dhe më me forcë, mësimet e mençura të Profetit Muhamed se besimi më i mirë është tek durimi dhe zemërgjerësia”, tha Meta.