Myftiu i Shkodrës fton drejt ruajtjes së dinjitetit përballë sfidave të skllavërimit modern…

0
213

Nga minberi i xhamisë së Dërgutit, ditën e xhuma, më 1 janar 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, dha mesazhin e kësaj jave, duke u përqendruar tek rëndësia e kapjes pas vlerave islame, që burojnë nga shpallja hyjnore, për të cilën muslimani nuk duhet të ketë asnjëherë as më të voglin dyshim, se është rruga më e mirë e më e dobishme për këtë jetë e të përtejmen.

Myftiu u ndal tek domosdoshmëria e të kapurit pas fesë islame, me bindjen e palëkundur se ajo është rruga e drejtë, udhëzimi i dobishëm dhe alternativa që i shërben njeriut për të jetuar me dinjitet, në drejtësi, mirëbërje, respekt e harmoni me njeriun e krejt krijesat e Zotit, si dhe me karakter e moral që nuk lejon dorëzimin përballë intrigave të skllavërimit modern, që e tërheq njerëzimin drejt shkatërrimit!

Myftiu ftoi rininë në veçanti që të mos shkojnë pas filozofisë së turmës së verbër e me mendje të mpirë, por të hapin sytë, të mendojnë, t’i peshojnë gjërat në jetë, të zgjedhin me të doboshmen, të refuzojnë të keqen e të dëmshmen dhe, mbi të gjitha të bëhen shembull e të krijojnë modele udhëzimi me punën e besimin e tyre.

Gjithashtu theksoi se Islami na nxit për të mos pranuar të jetojmë si skllevër e kavie për interesat e djallëzuara të shërbyesve të së keqes, që sot e mot, nuk kanë reshtur së prodhuari afetarizëm e antivlera, imoralitet e degradim të racës njerëzore.

Në hytben e kësaj jave, Myftiu tha se muslimani nuk duhet të thyhet në rrugëtimet e tij me sprovat dhe përballjet me to, sado të mëdha qofshin, sepse Hz. Nuhu (a.s) nuk u dorëzua në thirrjen e tij, edhe pse nuk i besuan veçse pak njerëz, në 950 vite thirrje të pandërprerë!

Myftinia Shkodër, 2 janar 2021

PËRGJIGJU