“Më thanë mos trego dënimin”/ Shpëton Valdrin Pjetri, dosja e Italisë mbyll hetimet në Shqipëri, ia ‘hedh’ pa asnjë pasojë juridike

Valdrin Pjetri i shpëton akuzave të prokurorisë. I dalë fitues nga gara një emërore për bashkinë e Shkodrës, por edhe si njëri nga kryebashkiakët më jetë shkurtër të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, pasi u dorëhoq për shkak të ligjit të dekriminalizimit meqënëse nuk kishte deklaruar dënimin për drogë, Valdrin Pjetri doli gjithashtu fitues nga hetimi. Informacioni konfirmohet zyrtarisht nga prokuroria e cila ka pushuar hetimin ndaj tij dhe kërkon që dosja të mbyllet.

Një vit më parë, kur 38 vjeçari deklaronte njëkohësisht se mezi priste të merrte postin e kryebashkiakut për të nisur nga puna, njëherazi ai u kthye jo vetëm një i akuzuar nga PD, por edhe në mollën e sherrit edhe brenda PS, Kur akuzohej se nuk tregoi dënimin për drogë dhe dëbimin nga shteti italian, pati akuza edhe kundër akuza duke filluar nga drejtuesi i qarkut për PS në atë kohë, Ditmir Bushati, i cili kritikoi dhe kërkoi reformë të thellë politike.

Qëndrimit të tij, iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla që vlerësoi se çdo përgjegjësi është personale dhe jo e partisë. Por e gjithë kjo tymnajë, nga njëra anë opozita që publikoi dokumente dhe nga ana tjetër PS që u pa të lëvizte, mund të konsiderohen të shkuara të harruara.

Burime të gazetës “Si” treguan ekslusivisht se Valdrin Pjetri pasi u mbajt për mëse një vit nën hetim doli nga pozita e vështirë ku gjendej dhe ndryshe nga ish kryebashkiakë të tjerë që janë në rrezik për tu paraqitur në gjykatë, ai nuk do ketë asnjë pasojë juridike. Sipas një burimi anonim pranë prokurorisë hetimi ndaj Pjetrit është pushuar pasi ndaj tij nuk ka vepër penale. Si argument është sjellë deklarata e ish-të zgjedhurit të pushtetit lokal që është justifikuar se ishte vetë gjykata italiane që e kishte detyruar në vendimin e saj duke specifikuar, se nuk duhet ta tregonte dhe ta përmendte askund këtë denim.

Pasi ka administruar një sërë dokumentesh si dhe referimin e prokurorisë së përgjithshme, akuza konstaton se Valdrin Pjetri është dëbuar nga territori italian në 4 shkurt 2003 me vendim të prefektit të Firences, pasi njëkohësisht i është revokuar edhe leja e qëndrimit. Por megjithëse prokuroria përmend se Valdrin Pjetri ka deklaruar në formularë se nuk është dënuar asnjëherë me vendim të formës së prerë as nga autoritete shqiptare as nga ato të huaja, shtohen edhe fakte të reja se përse ai u dëbua nga shteti italian.

Sipas burimeve të konfirmuara të gazetës “Si”, në dosjen e pushimit të akuzës theksohet se Valdrin Pjetri rezulton i arrestuar në 27 janar 2003 për shkelje të ligjit të narkotikëve dhe se përkundër asaj që ai deklaron në formularë është dënuar në vijim me vendimin penal numër 474 për mbajtje të paligjshme të narkotikëve në bashkëpunim, me 36 muaj burgim si dhe 2 mijë euro. Ky dënim pohohet t’i ketë zbritur me rrethana lehtësuese në 27 muaj burg dhe 1500 euro gjobë që ka vazhduar sërish me zbritje deri më 18 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë. Prokuroria që e hetoi kryebashkiakun jetë shkurtër në detyrë shton se në vendim urdhërohet “Pezullim i dënimit dhe mos përmendje e tij në të ardhmen”.

Sipas burimeve të gazetës “Si”, “në kushtet kur gjykata kërkon në pjesën e dispozitivit që nuk duhej të përmendej në të ardhmen dhe nuk duhej të bëhej publik”, Pjetri ka vepruar në zbatim të këtij vendimi.

Pa qenë në gjendje të bashkangjisë detyrimin që ndërkohë i kërkonte ligji shqiptar i dekriminalizimit për të treguar çdo të dhënë kompromentuese, prokuroria vlerëson se urdhërat e gjykatës duhen parë si të lëshuara nga një organ i pavarur për dhënien e drejtësisë. Në qëndrimin e saj prokuroria shpjegon për gazetën Si se “sipas teorisë të së drejtës penale interpretimi që i bëhet dispozitës penale nga gjykata penale quhet interpretim gjyqësor”. Edhe ligji i vitit 2015 është ligj me natyrë penale theksohet më tej në vendim, pasi në të përmenden veprat penale dhe në këtë kuadër interpretimi bëhet vetëm nga gjykata. “Kur gjykata urdhëron që ky vendim nuk duhet të përmendet atëherë ky vendim duhet zbatuar dhe nuk duhet të diskutohet” mbyll interpretimin prokuroria. Por përtej jurisprudencës prokuroria përmend edhe rrëfimin e të dyshuarit si falsifikues Valdrin Pjetrit që pohon se,

“zbatova vendimin e gjykatës së Firences, që parashikoi në mënyrë të shprehur se vendimi nuk duhej të përmendej në të ardhmen dhe nuk duhej të bëhej publik. Ky ishte shkaku që nuk e përmenda në formularin e dekriminalizimit”.

Për shkelje të ligjit të dekriminalizimit vazhdon të jetë në pozicioin të vështirë para gjykatës ish kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, i cili u vetdorëzua pasi qëndroi mëse tetë muaj në arrati dhe ndërsa policia po e kërkonte dhe po vetkritikohej se po dështonte aksion pas aksioni. Për problemet shëndetësore që paraqiti në gjykatë, atij ju lehtësua masa e sigurisë, dhe për këtë shkak qëndroi fare pak orë në paraburgim. Referuar ligjit të dekriminalizimit prokuroria e përgjithshme vetëm gjatë vitit 2019 , nëpërmjet sektorit të verifikimit të integritetit të personave që zgjidhen deklaron se ka verifikuar 204 punonjës shtetërore, prej të cilëve për 163 subjekte janë përfunduar verifikimet dhe janë përcjellë ndërsa të tjerët janë në proces.

Marrë nga Gazeta “Si”