Me dy pistoleta në çantë, municione dhe kokainë, policia kap mat 30-vjeçarin tek “Ali Demi” (Emri)

Si rezultat i kontrolleve të policisë së Tiranës u godit një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes të lëndeve narkotike në doza të vogla. Policia sekuestroi dy armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një armë e ftohtë, dhe një automjet.

Poseduesi i tyre është shtetasi Edison Takaci siç mëson “BalkanWeb”.

NJOFTIMI I PLOTE Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave që qarkullojnë me armë me vete dhe që merren me shpërndarjen e lëndëve narkotike, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. T., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, gjatë patrullimit në lagjen “Ali Demi”, në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë konstatuar një mjet me drejtues shtetasin E.T., dhe gjatë kontrollit për sende të kundraligjshme, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale në çantën e tij të dorës 2 armë zjarri pistoletë të cilat janë dërguar për ekspertim për gjendjen e tyre teknike, një sasi municioni luftarak, një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, dhe një armë të ftohtë (dorezë).

Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale ” “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Armëmbajtja pa leje”.