Liqeni i Shkodrës tërheq vëmendjen e astronautëve

Nga Adriatik Balla

Edhe një herë tjetër, si përherë, natyra e bukur dhe enigmatike e Shqipërisë tërheq vëmendjen e shkencëtarëve të NASA-s

Shoku dhe miku im, Arben Mustafaj, bashkëstudent me mua në vitet 2000-2004, aktualisht me banim në SHBA, dërgoi në inbox-in tim, këtë material mbresëlënës të orëve të fundit, botuar nga “Earth Observatory”, ku jepet Liqeni i Shkodrës, një fotografi e bërë nga hapësira nëpërmjet teknikave dixhitale, e më pas “larë” në laborator, për të përshkruar jo vetëm bukurinë e liqenit më të madh të gadishullit Ballkanik, por njëherësh një fenomen që është konstatuar nga hapësira.

Shkenca miq, ka përparuar shumë, mëkat që gjeografët shqiptarë, në pamundësinë e departamenteve ku studiojnë, janë larg këtyre linjave të progresit shkencor botëror, larg këtyre shërbimeve që konsiderohen të nivelit më të lartë.

Fotografia (imazh) që përcillet edhe në këtë status, është e astronautëve dhe mban kodin ISS062-E-40353, e përfituar më 21 shkurt 2020, me një aparat fotografik dixhital Nikon D5 duke përdorur një lente 400 milimetër dhe është siguruar nga “Facility Observations Earth Earth Crew” dhe Earth Science and Unit Sensing Unit”, “Johnson Space Center”. Imazhi është marrë nga një anëtar i ekuipazhit të Ekspeditës 62 (Sara Schmid).

Po çfarë thotë materiali shoqërues i këtij imazhi?

Në këtë përshkrim të shkurtër jepet një fakt interesant, i thënë më parë në formën e hipotezave, por tani i argumentuar edhe shkencërisht. Edhe pse në materialin bashkëshoqërues mbi përcaktimin e origjinës së liqenit, ka një gjysmëgabimi, duke e quajtur karstik (në fakt është tektoniko-karstik), ka dhënë një fenomen që duhet vlerësuar. Ai ka të bëjë me lëvizjen e sedimenteve në tabanin e liqenit, në formën spirale në qendër të tij. Këto sedimente kanë origjinë lumore nga Moraça dhe përrenjtë që derdhen në bregun lindor të liqenit prej Alpeve Perëndimore.

Këto sedimente, në tabanin ujor të tij krijojnë një lëvizje në trajtë spiraleje, sikurse duket dhe në imazh. Tani e tutje u takon shkencëtarëve tanë të studiojnë fundin e gropës ku është vendosur liqeni i Shkodrës, për të përcaktuar nëse është thjesht një lëvizje e zakonshme sedimentesh prej rrymave brenda liqenit, apo diçka që lidhet me çarjet karstike të fundit të tij dhe një qarkullim unikal dhe enigmatik ujërash nëntokësore, gjë që nuk përjashtohet.

Në çdo rrethanë, është mbresëlënëse. Në ditët në vijim do t’ju njohim me një material të zgjeruar në lidhje me këtë fenomen që ka tërhequr edhe vëmendjen e astronautëve. Nuk duhet neglizhuar roli i tektonikës në këto zhvillime, por për këtë do të shkruajm në numrin e ardhshëm, pasi të marrim edhe mendimet e kolegëve.

Edhe një herë tjetër, konfirmohet, se në çdo pikëpamje si gjeologjike, gjeografike, hidrologjike, mjedisore etj, Shqipëria është një perlë e natyrës, një “leksion” i shkëlqyer i fenomeneve natyrore.
Faleminderit Arben Mustafaj për infon…!