Lezha po braktiset, mbyllet gjimnazi i inaguruar vetëm 3 vite më parë

Varfëri, papunësi, braktisje e vendlindjes dhe shpopullim i Shqipërisë.

Plaga ka prekur ne 28 mije kilometrat e territorit Shqipërinë dhe kjo shihet qartë kudo, në fshat dhe qytet. Shifrat janë tronditëse.

Që nga viti 2011, janë rreth 400 mijë shqiptarë që kanë zgjedhur të largohen nga vendi për arsye emigrimi, shifër e barabartë me popullsinë e një qyteti të mesëm si Durrësi apo Fieri.

Çdo vit numri i shqiptarëve që aplikojnë për lotarinë amerikane rritet. Rekordi u shënua në 2018 ku u plotësuan plot 189 mijë aplikime për 367 mijë aspirantë për emigrim.

Ndërsa për 2019 ende nuk është bërë publik numri i aplikantëve.

Braktisja e vendit shihet mjaft qartë në shkolla ku jo vetëm numri i fëmijëve bie vit pas viti por në shumë prej tyre në fshatrat e vendit po i vihet dryni.

I tillë është edhe gjimnazi në Torovicë të Lezhës, i cili u hap tre vite më parë por sot është i mbyllur.

“Është e vërtetë që u mbyll shkolla e mesme si rezultat i rënies së numrit të nxënësve,”- tha një mësues.

Nxënësit që janë zhvendosur në një tjetër gjimnaz rreth 10 km më larg thanë për “Tempora” se mbyllja e shkollës ja ka vështirësuar ndjekjen e studimeve.