“Lamtumirë pasuri! Për 48 orë vjen formulari”/ Rama tregon si do të verifikohen kriminelët nga SPAK


“Nga nesër një letër do u drejtohet këtyre subjekteve dhe brenda 48 orëve do u kërkohet të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre”, kështu do fillojë hetimi për pasurinë nga krimi sipas asaj çfarë deklaroi kryeministri Edi Rama.

“Dhe pastaj formulari do të shkojë te SPAK-u dhe nga SPAK- u në gjykatë dhe ata do të duhet të vijnë para gjykatësit dhe të tregojnë sa fort kanë punuar tokën dhe sa shumë ullinj dhe portokalle kanë mbledhur, sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte, sa shumë janë lodhur dhe stërmunduar në fasoneri, sa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit, nëse duan ti mbajnë ato pasuri, për ndryshe gjithcka që kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e policisë së shtetit.

Kjo nuk do të vijojë si ato proceset ku në fund persona me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet, por kjo ka afate. 48 orë formulari, deri në 15 ditë SPAK, deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona e juaj, jo e imja, por e të gjithëve që e gëzojnë ata” deklaroi ai.

Paketa Anti-KÇK tha kryeministri Edi Rama :parashikon bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit. Parashikon bllokimin e lëvizjes jashtë njësisë administrative. Jo të nisen me autokolona me makina luksoze dhe të shkojnë të nxjerrin pushkë në planin e Himarës në mes të sezonit. Paketa parashikon mos pjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tendera.

E fundit, për prokurorët dhe gjykatësit që godasin shtetin jo me plumba por më keq se plumbi me çekiçin e drejtësisë. Jo përballë por mbas shpine.

Paketa kërkon brenda tre ditësh pezullimin e tyre nga detyra dhe nisjen e hetimit. Ata janë bashkë edhe tani që po na shohin dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin.”